Mbrëmë një orë pas mesnate Shkupi ka qenë në vendin e parë mes qyteteve me aerondotje më të madhe në botë.
Sipas matjeve të internet faqes së specializuar për ndjekjen e ajrit “Er vizhual”, indeksi i ndotjes në Shkup, një orë pas mesnate ka qenë 430. Me atë indeks të ndotjes, Shkupi ka qenë në majën e listës, ndërsa menjëherë pas tij ishin qytetet e Indisë, Pakistanit dhe Bangladeshit. Në vendin e pestë të listës është kryeqyteti i Kosovës – Prishtina.
Për shkak të ndotjes së lartë, Qyteti i Shkupit shpalli disa rekomandime deri te qytetarët: të shmanget shfrytëzimi i automjeteve ose të ndahet transporti, të shmangen uljet në vende të hapura, të mos digjen materialet e dëmshme, si dhe të pastrohen oxhaqet.