Shkup, 21 qershor – Skuadra e FC Shkupi pasi mbylli fazën e parë të përgatitjeve në Shkup, duke zhvilluar edhe një miqësore kundër Dritës së Gjilanit (2-0), nga sot ka nisur fazën e dytë të përgatitjeve por jo në vendin tonë, por jashtë saj. Në fakt ekspedita e përbërë nga futbollistët dhe stafi teknik, sot është nisur drejt Bolus të Turqisë, ku do të vijojë fazën kryesore të përgatitjeve për sezonin e ri në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë dhe garave evropiane, pasi siç e dimë më 12 korrik, bardhekaltërit do të jenë mysafirë i skuadrës skoceze Gllazgou Renxhers, në kuadër të raundit të parë të eliminatoreve për Liga Evropë. Në kampin stërvitor në Bolus, futbollistët dhe stafi teknik do të qëndrojnë deri më 3 korrik, ndërsa në këtë periudhë janë paraparë të zhvillohen tre ndeshje kontrolluese. Tani për tani është e sigurt se me 24 qershor, FC Shkupi do të mat forcat me skuadrën e Neftçit nga Azerbajxhani.