Në ndërkohë, në shkollat fillore të Tetovës tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e regjistrimit. Prindërit janë njoftuar me kohë se duhet që të regjistrojnë fëmijët e tyre në klasë të parë. Në shkollat fillore problem paraqitet ndryshimi i vendbanimit
Urim HASIPI
Tetovë, 4 maj – Prej sot kanë filluar regjistrimet në shkollat fillore në vend. Do të përfshihen fëmijët e lindur në vitin 2016 deri më 31 janar të vitit 2017. Sipas të dhënave që disponon sektori për arsim në komunën e Tetovës, gjithsej në klasë të parë do të duhet që regjistrohen 1498 fëmijë. Problem në vete është se rajonalizimi apo shpërndarja e nxënësve bëhet në bazë të një vendimi të këshillit të mëhershëm. Ky rajonalizim është i vjetër dhe shfaq probleme gjatë regjistrimit të nxënësve nëpër shkolla për shkak të transferimit të nxënësve nga një lagje në lagje tjetër. “Edhe pse nuk kanë qenë raste të theksuara, megjithatë edhe pse prindërit është dashur që të regjistrojnë fëmijën e tyre sipas rajonalizimit në një shkollë të caktuar, megjithatë fëmijën e dërgojnë në shkollë tjetër. Ne jemi të obliguar që të respektojmë vendimin e këshillit në përpikëri për sa i përket procesit të rajonalizimit”, thotë Nazmi Dauti, nga sektori për veprimtari publike në komunën e Tetovës.
Në ndërkohë, në shkollat fillore të Tetovës tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e regjistrimit. Prindërit janë njoftuar me kohë se duhet që të regjistrojnë fëmijët e tyre në klasë të parë. Në shkollat fillore problem paraqitet ndryshimi I vendbanimit. “Këta tre vitet e fundit ka patur lëvizje, ka patur shpërngulje të familjeve në shteteve e Bashkimit Evropian apo diku tjetër, por kemi edhe një fenomen tjetër, ku nga fshatrat e Malësisë së Tetovës kemi patur një shpërngulje në qytet, respektivisht në lagjen Drenovec, dhe këta fëmijë janë pranuar në shkollën tonë. Ne si shkollë nuk kemi patur ndonjë ndryshim të numrit të nxënësve, mbetet standard, afërsisht kemi mbi 1700 nxënës gjatë vitit shkollor. Kemi problem me rajonalizimin dhe duhet që t`i përmbahemi atij dokumenti të sjellur në këshillin e komunës së Tetovës”, thotë Riza Etemi, drejtor i shkollës fillore.
Drejtorët e shkollave kërkojnë që të bëhet ndryshim në shpërndarjen e nxënësve. “Realisht duhet të ndryshohet rajonalizimi sepse është I vjetër, gati 12 vite është i vjetër. Duhet që të ketë një ndarje të re, sepse janë bërë ndërtime të reja, kemi shpërngulje të banorëve nga një lagje në tjetër lagje dhe numri i banorëve është rritur në disa rajone. Shkolla jonë përfshinë një territor nga Drenoveci e deri në qendër duke përfshirë edhe qendrën sportive, prandaj duhet një ndarje e re”, thotë drejtori Etemi. Në 12 shkollat e fillore komunës së Tetovës gjithsej janë paraparë 57 paralele dhe procesi i regjistrimit do të zgjasë deri në fund të muajit maj. (koha.mk)