Të mërkurën e 29 qershorit u zhvillua Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Për Reformën Administrativo-Territoriale”, në të cilën u caktuan edhe ekspertët për Reformën Territoriale.
Të dyja partitë kryesore në Shqipëri, Partia Socialiste (PS) dhe Partia Demokratike (PD) kanë caktuar ekspertët e tyre për këtë reformë.
Nga PS-ja janë caktuar Adelina Farrici dhe Artan Shkëmbi, ndërsa nga PD-ja Agron Haxhimali dhe Roland Bejko.
Emrat u njoftuan nga dy bashkëkryetarët, ish-ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, dhe Dhurata Çupi.
Gjatë diskutimit, deputeti demokrat Xhelal Mziu sugjeroi që Komisioni i Reformës Territoriale të bënte një “tur” në vendet fqinje dhe të krahasonin politikat e tyre territoriale me ato të Shqipërisë.
“Ngul këmbë që komisioni i reformës territoriale duhet të gjejë modalitetin me Kosovën, Malin e zi dhe Maqedoninë e Veriut. S’po them të vijnë këtu dhe të dëshmojnë, por ky Komision të ndërmarrë një tur të shpejtë në këto tre vende, për të parë risitë e tyre në raport me ne. Që të mos shkojmë te shpikja e rrotës, por të bëjmë implementimin e standardeve që kanë evoluar”.
Mziu gjithashtu propozoi që t’i merren direktiva për reformën territoriale Kongresit të Autoriteteve Lokale Evropiane, sepse “më shumë se ato askush nuk është i specializuar dhe besoj se do të ndikojë në këtë drejtim”.
Reforma Territoriale
Reforma vjen në kuadër të procesit të integrimit evropian. Gjatë një prononcimi për mediat, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha se organet e qeverisjes vendore duhet ta përqasin rolin e tyre në nivel rajonal.
“Besoj se këto shtatë vite, kanë konfirmuar një përmirësim të shërbimeve publike në dobi të qytetarëve. Ka nevojë për përmirësim”, u shpreh kreu i grupit socialist.
Ndër të tjera, sipas vlerësimit të Ballës, është që qarqet në modelin aktual kanë humbur peshën e tyre dhe duhet gjetur një mënyrë për të shkuar me “një organizim më të mirë”.
Kujtojmë që, në seancën plenare të 9 qershorit, Kuvendi i Shqipërisë miratoi përbërjen e komisionit të posaçëm për Reformën Territoriale dhe atë Zgjedhore.
61 bashki?
I pyetur nga gazetarët lidhur me ndryshimet në numrin e bashkive, Balla e bëri të qartë se, për të si qytetar, dhe jo si politikan: 61 bashki janë shumë.
Ai theksoi se, sa i përket kësaj të fundit, ka shumë bashki të vogla ngjitur me njëra-tjetrën, “që mbajnë dy administrata kot”.
“Ky është vlerësimi i imi personal, por askush prej nesh nuk duhet të gjykojë punën e komisionit. E theksoj, puna e komisionit do të jetë për shërbim më të mirë për qytetarin, pasi ne duhet të çojmë deri në fshatin më të vogël dhe të largët shërbimet e duhura për qytetarin”, ravijëzoi Balla.
Ndërkaq, ai përmendi edhe Këshillimin Kombëtar, i cili po përgatitet që t’u paraqitet qytetarëve për të dhënë opinionin e tyre rreth kësaj Reforme.
“Komisioni i Posaçëm i Reformës Territoriale mos ta fokusojë punën vetëm te Partia Demokratike ‘do 100’ e PS-ja ’40 bashki’, por ta shohë pak më tepër këtë detyrë që i ka dhënë Kuvendi. Ky është një ligj që kërkon shumicë të cilësuar në Kuvend”, shtoi Balla.
Në përfundim, ai bëri me dije se për zgjedhjet vendore çdo gjë është gati dhe mund të mbahen rreth 15 prillit – 15 maj të vitit të ardhshëm. /Albanianpost