Dogmatizimi i teknologjisë së bashkëqeverisjes ka nxjerrë nga përdorimi energji të shumta krijuese e intelektuale të shqiptarëve në Maqedoni dhe diasporë
Nga Emin AZEMI
Dy opsionet dominante maqedone që kishin prejardhje të ndryshme ideologjike – VMRO dhe LSDM, me kalimin e viteve u bënë fatpërcjellëse të pashmangshme të shkëlqimit dhe rënies së lavdisë politike të shqiptarëve të Maqedonisë. Si një hije që ndjek udhëtarin e lodhur në shkretëtirë, ishin pikërisht këto dy opsione dhe për pasojë politikëbërja shqiptare, me apo pa vetëdije, u bë peng i ambicies së pashpjeguar për “bashkëshortësi” të përjetshme me këto dy parti kontradiktore maqedone.
Kjo rrëshqitje e shkallëshkallshme e filozofisë politike të shqiptarëve të Maqedonisë në pragamtizmin banal të bashkëjetesës së dy tendencave etnike që pajtoheshin vetëm për çështje të politikës së ditës dhe për ndarjen e ndonjë trofeu që sjell pushteti, pamundësoi krijimin e frymës së bashkërendimit dhe bashkëpunimit brendakombëtar të shqiptarëve. Ndasia brendashqiptare sikur u bë lajtmotiv i politikave të papjekura që bashkëqeverisjen me partitë maqedone e shndërroi në dogmë nga e cila as sot e gjithë ditën nuk po lirohemi. Ky dogmatizim i teknologjisë së bashkëqeverisjes ka nxjerrë nga përdorimi energji të shumta krijuese e intelektuale të shqiptarëve në Maqedoni dhe diasporë .
Shqiptarëve të Maqedonisë kanë nevojë për një listë të përbashkët të prioriteteve kombëtare, në mënyrë që politikat e tyre të mos jenë zgjatime karikaturale të doktrinave djathtiste e majtiste maqedonase. Hapësirë për opozitarizëm të shpifur brendashqiptar nuk ka gjithaq, sepse ajo hapësirë duhet mbushur me idetë e parrumbullaksuara të një zgjimi kombëtar dhe një kundërvënie intelektuale doktrinave maqedone, të cilat ende shkëlqimin e tyre e masin me errësirën e sinkopave shqiptare.
Fuqia politike e faktorit vendimmarrës maqedonas gjithmonë është varur nga shkalla e kohezionit brendashqiptar dhe për fat të keq kjo fuqi ka ardhur duke u rritur falë mungesës së bashkëpunimit dhe bashkërendimit të forcave politike të shqiptarëve. Deri më tani nuk ka ndodhur që një parti politike shqiptare, fituese e zgjedhjeve në elektoratin shqiptar, të ketë refuzuar pjesëmarrjen në bashkëqeverisje me ndonjë parti tjetër maqedonase për shkak të ofertës substanciale që ajo ka ofruar. Deri më tani nuk ka ndodhur që partia më e madhe politike shqiptare që ka dalë e para në zgjedhje të ketë përfshirë në platformën e saj (bashkë)qeverisëse edhe ndonjë gjetje interesante nga platformat e partive të tjera simotra shqiptare në Maqedoni.
Në këto zgjedhje presidenciale, shqiptarët kanë mundësi edhe më tepër ta faktorizojnë vetveten, duke treguar zgjuarsi politike në menaxhimin e votave të tyre. Nëse partitë maqedonase nuk treguan kurrfarë mirëkuptimi për të gjetur ndonjë kandidat i cili do t’i përfaqësonte pak a shumë interesat dhe ambiciet e të gjithëve, përfshi edhe ato të shqiptarëve, atëherë këta të fundit me çfarë sensi duhet të tregojnë mirëkuptim minimal ndaj kapriçioziteteve maqedonase.
Thuhet se politika është si tangoja që nuk mund të luhet solo, përveç rasteve perverse kur mendjelehtësia për të prodhuar famë artificiale kufizohet me pafuqinë reale. Kjo megalomani maqedonase ndoshta nuk do t’i kishte këto trajta absurde sikur të mos ekzistonte edhe një konfuzitet i shqiptarëve për të ndërtuar qëndrime politike në momente vendimtare. Majën e këtij konfuziteti e përbën naiviteti që të hiqet dorë nga gara me kandidat vetanak, ose të përbashkët brendashqiptar. Pikërisht ka qenë ky naivitet shqiptar shkaku që në disa cikle zgjedhore imponohen kandidat maqedonas të cilët gjatë gjithë mandatit prodhojnë konfliktualitet edhe të karakterit etnik. (koha.mk)