Ekspertët vlerësojnë se zgjidhja më e mirë do të ishte rrethrroutllim i ri në këtë udhëkryq, por duke bërë intervenime edhe në unazën paraprake në kryqëzimin e rrugës industriale me atë të Ilindenit
Urim HASIPI
Tetovë, 14 gusht – Periudha e verës në bulevardin kryesor të Tetovës në pjesën për në Gostivar, sa i përket sigurisë së komunikacionit, dukshëm ka qenë në nivel, për dallim në muajt e parë të këtij viti kur kjo pjesë e qytetit të Tetovës ishte përfshirë nga shumë aksidente, shkruan gazeta KOHA. Megjithatë, nga Komuna e Tetovës ende janë duke bërë vlerësime, se cila do të ishte zgjidhja më e mirë që të evitohen aksidentet, ndërsa në këtë drejtim është duke u menduar që të rritet edhe siguria e këmbësorëve kur dihet se aty ndodhen dy shkolla të mesme dhe dy Universitetet, respektivisht, Shkolla e Mesme e Mjekësisë dhe ajo e Bujqësisë, si dhe UT dhe UEJL.
Sipas drejtorisë përgjegjëse në Komunën e Tetovës, janë duke u analizuar variantet se si do të veprohet me këtë rrugë, ndërsa gjatë verës nuk është ndërmarrë asnjë veprim për shkak të frekuentimit enorm në këtë rrugë të automjeteve.
“Komuna e Tetovës në bashkëpunim me policinë,kanë shprehur shqetësimin për aksidentet që ndodhin pikërisht në këtë udhëkryq,ku do të shqyrtohet kjo problematikë me hartimin e një plani te ri urbanistik ku parashihet një rrethrrotullim i ri, besojmë që potenciali i aksidenteve do të jetë shumë më i vogël. Do të mundësohet qarkullim më i lirë i automjeteve, por gjithmonë duke i respektuar rregullat e komunikacionit”, deklaruan nga sektori për komunikacion në Komunën e Tetovës. Krahas rrethrrotullimit, një variant është edhe mbyllja e kthesës për në komunën e Bërevenicës, por ky variant është më pak i mundshëm, ngase sipas sektorit përgjegjës, mbyllja e tërësishme e kthesës dhe largimi i semaforëve do të pamundësonte qarkullimin për në Bërevnicë, por edhe një pjesë e bujqve, të cilët shfrytëzojnë këtë rrugë për të arritur tek pronat e tyre bujqësore. Në ndërkohë, nga Policia ende nuk kanë dalur me qëndrim se a do të lejojnë ndërtimin e një rrethrrotullimi.
“Udhëkryqi në afërsi të Shkollës së Mesme Medicinale në Tetovë, ose ndryshe e quajtur ‘Kthesa e Bërvenicës’, për një kohë të gjatë, njëjtë edhe këtë vit, paraqet një nga disa prioritetet e qytetit, të cilat çdo ditë mbulohen me patrullime, të policëve nga Stacioni policorë për siguri në komunikacion dhe rrugë. Jo vetëm kjo por në këtë udhëkryq, rregullisht kontrollohet gjendja teknike dhe funksionimi praktik i sinjalizimit, me qëllim që të mundësohet qarkullim i papengueshëm, i veturave dhe këmbësorëve, që të mënjanohen ngatërresat në trafik. Megjithatë, edhe krahas këtyre aktiviteteve të cilat ndërmerren me kontinuitet, më së shpeshti për shkak të mos respektimit të përparësisë së kalimit, mospërshtatja e shpejtësisë, dhe shkaqe të tjera, ndodhin aksidente trafiku me pasoja të ndryshme, krahas tjerash, edhe si rezultat i kulturës së ulët në komunikacion të disa individëve. Problem i hapur këtu, janë edhe të ashtuquajturit taksistë të ,,egër,, të cilët parkohen në zonë të udhëkryqit, edhe pse ky udhëkryq është ndër më të frekuentuarit në Tetovë, më së shumti si rezultat i pozicionimit të shumë objekteve shkollore si dhe institucione tjera, ku për çdo ditë tërheqin numër më të madh të veturave dhe këmbësorëve”, deklaruan nga Policia e Tetovës kohë më parë për gazetën Koha, lidhur me këtë problamtik.
Ky udhëkryq është ndër të rrallit në Tetovë në këtë zonë ku ende ka semafor pasi që në shumë udhëkryqe tjera janë vendosur rrethrrotullime. Ekspertët nga ana tjetër, vlerësojnë se zgjidhja më e mirë do të ishte rrethrrotullim i ri në këtë udhëkryq, por duke bërë intervenime edhe në unazën paraprake në kryqëzimin e rrugës industriale me atë të Ilindenit, i cili në mesditë dhe pasdite është shumë i ngarkuar, prandaj edhe krijohet kaos edhe në arterien vazhduese për në Gostivar. Nga ana tjetër deri në fund të këtij muaji, ende nuk ka ndonjë paralajmërim se për cilin variant do të vendos komuna që të zgjidh këtë problem,ngase sipas informacioneve jozyrtare shpesh herë semaforët ose dëmtohen gjatë aksidenteve ose vidhen pjesë të tyre prandaj edhe nuk janë funksional. (koha.mk)