Shkup, 26 shkurt – Byroja për zhvillim të arsimit ka përgatitur listën e re të projekteve për lektyra për arsimin fillor, nga klasa e dytë deri në klasën e nëntë.
Siç kumtoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës, lista e lektyrave freskohet dhe plotësohet për të qenë në hap me interesat e nxënësve, gjegjësisht për të nxitur dhe për të rritur interesin ndaj librit tek lexuesit e rinj përmes afrimit të përmbajtjeve të lektyrave me prirjet bashkëkohore dhe interesat e nxënësit.
Rishikimi i listës së lektyrave, siç thonë nga MASH, bëhet me qëllim që të t’u jepet liri arsimtarëve në punën e tyre dhe të pasurohet përzgjedhja e lektyrave me të cilat ata do të mund të punojnë gjatë viteve.
“Këtë propozim e dorëzojmë në shqyrtim dhe debat publik me qëllim që persona kompetentë në Republikën e Maqedonisë të qartësohen për listën e re të lektyrave. Arsimtarët nga shkollat fillore janë ftuar që të marrin pjesë në debatin publik dhe të shprehin mendimin e tyre edhe deri te universitetet e Maqedonisë, si dhe deri te Shoqata e shkrimtarëve të Maqedonisë”, thuhet në kumtesën e MASH-it.
Lista është publikuar në ueb faqen e MASH-it me ftesë për komente dhe propozime nga ana e personave të interesuar. Propozimet mund t’i dërgoni në [email protected], dhe në arkivin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (rr.Shën Cirili dhe Metodi nr.54). Afati i fundit për dorëzim të propozimeve është 26 mars viti 2018.
Për momentin janë përgatitur lista për lektyra për mësimin që zhvillohet në gjuhën shqipe, maqedonase dhe turke, ndërsa në përgatitje e sipër është lista e lektyrave në gjuhët tjera të arsimit fillor.