Parandalimi i shtatzënive të hershme duhet të trajtohet në shkollat e ulëta, përmes lëndëve të veçantë
Delvina KËRLUKU
Shkup, 23 prill – Në Maqedoni shtatzënitë dhe abuzimet me vajzat minorene janë evidente, problem ky që e prek më shumë komunitetin rom, duke mos përjashtuar edhe komunitetin shqiptar. Kjo dukuri i prekë edhe vajzat edhe djemtë, edhe pse vajzat janë të prekura në numër më të madh dhe me pasoja më të mëdha, shkruan gazeta KOHA.
Nuset e mitura zakonisht detyrohen të lënë shkollën, të lindin fëmijë dhe të punojnë në shtëpi. Ato janë të izoluara nga shokët dhe familja e tyre, mund të dalin vetëm me pajtimin e burrit të tyre, dhe nuk fitojnë paranë e tyre, kështu që janë të varura ekonomikisht nga familja e burrit dhe kanë pak apo aspak pushtet në ekonominë familjare. Për këto arsye nuset e mitura janë posaçërisht të prekura nga dhuna në familje.
Në disa komunitete, martesa e një vajze shihet si mbrojtje kundër marrëdhënieve seksuale para-martesore, dhe mbrojtje e vajzës nga dhuna dhe ngacmimi seksual. Realiteti është ndryshe. Vajzat që martohen para moshës 18 vjeçare kanë më shumë gjasa të përjetojnë dhunën brenda martesës se sa vajzat që martohen më vonë.
Për rrjedhojë është evidentuar edhe problem i braksitsjes së foshnjeve të posalindura. Ndërkaq arsyet sipas të dhënave që japin maternitetet, janë të ndryshime, por dominojnë lidhjet jashtëmartesore dhe shtatzënia e padëshiruar.
Sociologët vlerësojnë se braktisja e këtyre fëmijëve nga nënat e reja është mungesë e planifikimit familjar ku gratë duke mos e dëshiruar shtatzëninë vendosin që t’i braktisin fëmijët e tyre por edhe t’i abortojnë. Mirëpo, ka edhe arsye të tjera që i detyrojnë nënat të marrin vendim për të braktisë fëmijën.
DUHET TË RRITET VETËDIJA E QYTETARËVE
Nga “Iniciativa për gratë”, përfaqësuesja Salija Beqir Halim, thotë se hulumtimet tregojnë se në përfshirjen e shtatzënave rome nga Shuto Orizara, një pjesë e madhe janë të mitura.
Ndërsa, dr.Rexhep Emurllai thotë se ky fenomen prek jo vetëm komunitetin rom por edhe atë shqiptar dhe për këtë arsye duhet të rritet vetëdija e qytetarëve për parandalimin e shtatzënive te të miturat.
Sipas ‘Iniciativa e grave’, komuniteti rom në vitin 2018 ende përballet me pengesa serioze në qasjen e shërbimeve themelore shëndetësore për shëndetin riprodhues.
“Kjo është konfirmuar nga të dhënat shqetësuese për numrin e shtatzënive të të miturve në mesin e grave rome, që kemi pengesa serioze në shërbimet shëndetësore.
Hulumtimi në terren i kryer në vitin 2017 tregoi se 20 për qind e grave shtatzëna rome nga Shuto Orizare, janë të mitura. Shtatzënia e hershme dhe prindërit kanë një ndikim serioz në konkurrencën e tregut të punës dhe kontribuojnë në përfundimin e arsimimit të mëtejshëm, i cili krijon varësi ekonomike dhe varfëri.
Kjo situatë nxit nevojën për të avancuar edukimin e të rinjve dhe shërbimet për mbrojtjen dhe promovimin e shëndetit të tyre riprodhues, i cili do të kontribuojë drejtpërdrejt në zvogëlimin e numrit të shtatzënive të të miturave. Edukimi mbi mënyrat e mbrojtjes nga shtatzënia e padëshiruar dhe infeksionet e transmetuara seksualisht do t’i pajisë të rinjtë me informacion dhe njohuri që janë të nevojshme për të marrë vendime të rëndësishme në jetë.
SHËRBIMI SHËNDETËSOR, JOEFIKAS
“Sipas Programit për kujdesin aktiv shëndetësore të nënave dhe fëmijëve, ekzaminimet dhe analizat laboratorike gjatë shtatzënisë kanë të drejtë të lirohen gratë shtatzëna, pa sigurim shëndetësor, gratë pa dokumente identifikimi, gratë rome dhe gratë nga kategoritë e rrezikuara sociale, por sipas hulumtimit tonë, kjo respektohet vetëm 20 për qind të rasteve. Kjo praktikë në ordinancat e gjinekologëve i pengon gratë që të bëjnë kontroll rregullisht shtatzëninë e tyre dhe në këtë mënyrë e rrezikojnë drejtpërdrejtë shëndetin dhe jetën e tyre”, thotë Salija Halim, nga “Iniciativa për gra”, për gazetën Koha. Ajo kërkon nga institucionet përgjegjëse, në radhë të parë nga Fondi për Sigurim Shëndetësor i Republikës së Maqedonisë dhe Ministria e Shëndetësisë që t’iu jepen prioritet të lartë shëndetit dhe jetës së grave shtatzëna, në funksion të zgjidhjeve të qëndrueshme të sistemit, për të ndaluar plotësisht praktikën e grumbullimit të paligjshëm të shërbimeve shëndetësore nga gjinekologët dhe të sigurohet zbatimi i plotë të masave nga programet parandaluese të Ministrisë së Shëndetësisë për promovimin e shëndetit riprodhues të grave rome.
Nga ana tjetër, kryeshefi i spitalit të Tetovës, dr. Rexhep Emurllai, thotë për gazetën KOHA se duhet të rritet vetëdija e qytetarëve për parandalimin e shtatzënive të hershme dhe kjo duhet të mundësohet përmes edukimit arsimor, sepse shtatzënitë te minorenet janë edhe te romët, shqiptaret, por edhe komuniteteve të tjera në vend.
Nuk bëhet fjalë vetëm për komunitetin rom, në Maqedoni jetojnë edhe komunitete të tjera. Por, nëse bëhet fjalë për nivelin e vetëdijes, emancipimit, shkollimit të qytetarëve, sipas dr. Emurllait, pikërisht bie viktimë mosha e adoleshencës ose puberteti, karakteristike më tepër për vajzat rome, por nuk përjashtohen edhe komunitet e tjera. Por, përsëri bëhet fjalë për nivelin e vetëdijes së qytetarëve, nivelit të ngritjes së kulturës së përgjithshme, dhe përgjithësisht një edukate rreth pasojave shtatzënisë së hershme.
ABORTET A ADOLESHENTEVE NË RRITJE
Të dhënat tregojnë se shumë vajza nuk dinë të mbrohen nga shtatzënia e padëshiruar, si rezultat i moskomunikimit prind – fëmijë, në lidhje me kulturën seksuale, por edhe për atë që gjatë aktit seksual është e mundur që të barten sëmundje të ndryshme.
Sipas statistikave gjatë vitit të kaluar, kanë abortuar 217 vajza më të reja se 20 vjet, numri është më i madh në krahasim me vitin 2008 kur shtatzëninë e kanë ndërprerë 146 vajza. Organizatat që punojnë në këtë fushë komentojnë se Maqedonia është një ndër vendet me nivel më të lartë të aborteve te vajzat e mitura.
NJOHURITË PËR KONTRACEPTIVËT
Hulumtimet e organizatave joqeveritare tregojnë se vetëm 1.6% nga vajzat e reja në moshë prej 15 deri më 19 vjet, deklarojnë se përdorin kontraceptiv oral, ndërkaq vetëm 34.8% përdorin prezervativ gjatë marrëdhënies seksuale.
“Në një hulumtim, tjetër thuhet se vetëm 13% e nxënësve kanë deklaruar se kanë mësuar për prezervativin, ndërkaq vetëm 2% për kontraceptivin oral. Plotësisht, informatat ata që i marrin janë të vjetërsuara, të parëndësishme, madje shpesh edhe të pasakta”, thonë nga Asociacioni për Shëndet dhe Edukim HERA.
DUHET ZGJERUAR KULTURA E MARTESËS DHE DIVORCIT
Për sociologun Gëzim Tushi, varfëria nuk duhet parë si lëkurë që duhet tja veshim çdo lloj problemi, sikurse edhe martesave të hershme, pasi ka edhe çifte që jetojnë mes luksit dhe shkojnë drejt dicvorcit njësoj si lidhjet e papjekura. Ndaj sipas tij, në shoqërinë tonë duhet zgjeruar kultura e martesës dhe divorcit. Përtej dashurisë, kultura e martesës është e trashëguar, shkruan ora newss. Nëna që janë martuar të vogla veprojnë po njësoj edhe me vajzat e tyre. Sociologu shprehet se në shoqërinë tonë ka dy tendenca, martesat e hershme dhe ato të vonuara. Po ndërsa këto të fundit janë të matura e ku partnerët kanë vendosur me përgjegjësi, te të parat është dashuria ajo që rrëmben të rinjt drejt martesës. Ndryshe nga sa paragjykohet, ky fenomen nuk i përket vetëm komuntetit rom, sikurse as vetëm vajzave nga fshati.
NËNAT 17 VJEÇARE BRAKTISËN 30 FOSHNJE PËR NJË VIT
Braktisja e fëmijëve në Kosovë vazhdon të mbetet një problem shqetësues. Shqetësuese mbetet edhe mosha e nënave që po lindin e më pas po braktisin foshnjat e tyre.
Gjatë vitit 2015 në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës 30 fëmijë të porsalindur janë braktisur nga nënat e tyre. E mosha e nënave lehona që po i braktisin fëmijët në QKUK po del të jetë mjaftë shqetësuese. Ato kryesisht kanë nga 17 deri në 19 vjeç.
Nushe Bicaj, punëtore sociale në këtë Klinikë ka thënë për Gazetën Fjala se mosha e nënave që i braktisin këta fëmijë është tejet e re dhe shumica e tyre janë nga rajoni i Prishtinës, raporton Gazeta Fjala.
Ajo bëri të ditur se në vitin 2015 kanë qenë 7 raste më pak të braktisjes së fëmijëve se sa në vitin 2014 ku numri i fëmijëve të braktisur arriti shifrën e 37 fëmijëve. (koha.mk)