Qytetarë të Republikës së Shqipërisë nga Pusteci, të cilët kanë marrë shtetësi edhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dëshmuan sot në gjyqin për çështjen “Titanik”.
Para Këshillit penal i pari dha deklaratë dëshmitari Sandre Simoni, i cili deklaroi se ka lindur në Pustec, Republika e Shqipërisë, por që nga viti 2000 jeton në Jankovec, Komuna e Resnjës.
“Në vitin 2001 kam marrë shtetësinë e Republikës së Maqedonisë. Të drejtën time të votimit e kam ushtruar në Jankovec, gjegjësisht përveç këtu kam votuar edhe në Tiranë. Nuk e mbaj mend vitin, por një herë në Tiranë kam votuar për zgjedhjet presidenciale, ndërsa në Jankovec për zgjedhjet parlamentare”, tha dëshmitari Simoni.
Ngjashëm me dëshmitarin Simoni, deklaratë të tijën dha edhe Koço Nasto, nga Korça, i cili jeton në Resnjë që nga viti 2008 (ai shtetësinë e ka marrë në vitin 2010).
“Të drejtën time për të votuar e realizoj në Resnjë. Në vitin 2014, kam votuar edhe në Shqipëri (Tiranë). Unë jam qytetar i Republikës së Shqipërisë, kështu që kam të drejtë të votoj edhe atje. Kishte listë votimi, askush nuk më ka detyruar të votoj. Nuk kam marrë asnjë kompensim financiar nga askush për të votuar”, tha dëshmitari Nasto.
Me propozim të prokurorisë, gjykata e dëgjoi edhe dëshmitaren Ana Rido, nga Prespa e Vogël, Republika e Shqipërisë, e cila ka fituar shtetësinë e Republikës së Maqedonisë që nga viti 2008. Nga ana e prokurores Lile Stefanova, u pyet nëse i kishte dhënë një pale të tretë autorizim për të ushtruar të drejtën e saj të votimit diku tjetër përveç në Resnjë.
“Nuk i kam dhënë autorizim askujt. Personalisht nuk kam paraqitur një kërkesë të tillë”, tha dëshmitari Rido. Për rrethanat e njëjta u pyet edhe dëshmitarja Donika Kallamovska, duke thënë se ajo nuk i kishte dhënë autorizim askujt për parashtrim të kërkesës për të ushtruar të drejtën e saj të votimit në një tjetër vendvotim.
Në këtë lëndë përveç Nikolla Gruevskit, i cili është në arrati, akuzohen edhe Kirill Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankulloska, Biljana Brishkoska-Boshkovski, Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temellko, Leko Ristoski, Kirill Todorovski, Katerina Velovska, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Aleshkoviq dhe Lenka Rashjakovska.
Ata dyshohen për shoqëri kriminale, abuzime në procesin zgjedhor dhe financim të fushatës zgjedhore.