Ja, pra, kjo është një temë edhe për ministrin aktual, i cili rastisi të jetë shqiptar (Edmond Ademi), që në dallim nga përpjekjet e mëparshme, të ketë një qasje më subtile për të shpërngulurit nga Maqedonia për Turqi, të përjashtohet çdo dallimi në baza etnike, dhe si kriter kryesor duhet të jetë ai që është tash, lindja. Kjo qeveri në disa çështje kruciale u tregua e guximshme dhe jo paragjykuese, ndaj dhe në këtë çështje mund të bëjë diçka të tillë
Nga Daut DAUTI
- PËR LËVIZJE TË LIRË DHE ÇMALLJE MË TË SHPESHTË NË ATDHE
Para dy vitesh ishim mysafir në Turqi ku i kemi dajallarët e tezet. Në të vërtetë, ishim te pasardhësit e tyre, sepse ka kohë që ata kanë ndërruar jetë. Nuk ka nevojë të përmendet se sa të përmallshme janë ato vizita kur shkon rrallë(siç po ndodh realisht). Rrallë e përmallë, por, me keqardhjen kur vëren dhëmbin e kohës që ka lënë gjurmë te ata. Keqardhje për realitetin e pashmangshëm, kur identiteti i tyre ka mbetur vetëm në kujtimet e para shumë dekadash, sepse pinjollët e rinj nuk e dinë ç’domethënie mund të ketë kjo në jetën e tyre.
Por, kushdo që ka farefis në Turqi, gjatë vizitave, qoftë atje, qoftë kur vijnë në vendlindjen e tyre të dikurshme, duhet ta kenë vërejtur se ata e hapin një temë që i preokupon: si të marrin dokumentet personale të Maqedonisë (tash të Veriut)? Nuk është fjala për ndonjë nostalgji për të ardhur me ato dokumente dhe të ndjehen si banorë të vendit që e kanë braktisur, por për disa çështje fare praktike. Ata duan të marrin dokumente të Maqedonisë që të mund të udhëtojnë më lirë nëpërmjet territorit të Bashkimit Evropian dhe me po të njëjtat dokumente, kanë të drejtë të blejnë vetura me tatim më të ulët, përgjysmë më lirë se ato në Turqi! Si dikur në rastin qytetarët e Maqedonisë me pasaportat e Bullgarisë. A nuk ka ardhur koha t’iu ndihmohet “muhaxhirëve”? Një lehtësim i vogël në formë ligji, do të ishte një zgjidhje e mirë.
Kohë më parë po këtë problem e trajtuan dy debutues në një televizion. Njëri ishte historian e tjetri diplomat. Historiani foli për shpërnguljet që janë bërë në periudha të ndryshme, për manipulimet dhe presionet ndaj popullsisë myslimane prej ish-Jugosllavisë. Diplomati foli për përpjekjet që janë bërë deri tash që t’u ndihmohet të shpërngulurve “që ende e ndjejnë Maqedonisë si atdhe të tyre”. Më saktë, foli për “maqedonasit”, në kuptimin etnik, mbase duke aluduar në torbeshët, por jo dhe për të tjerët.
Jo për të polemizuar, por në kontekst të mundësisë për të lehtësuar procedurën e marrjes së shtetësisë së Maqedonisë së Veriut, ka nevojë të sqarohen disa gjëra. Me sa kam njohuri, kjo kategori e të shpërngulurve kanë mundësi të marrin shtetësinë e vendit tonë edhe me rregullativën ligjore aktuale. Për këtë, ka dy kushte themelore: të jenë të lindur në Maqedoni dhe e dyta, pas aplikimit(kërkesës) drejtuar organeve tona, duhet të qëndrojnë në Maqedoni të paktën një muaj. Në shikim të parë duket lehtë, por, ky kushti për të qëndruar të paktën një muaj në Maqedoni duket paksa i tepërt dhe i palogjikshëm, sepse ata nuk kanë ndërmend të vijnë e të jetojnë këtu dhe të japin adresë të përhershme. Për të plotësuar këtë kusht, aplikantëve sikur iu sugjerohet të bëjnë manipulim me vendqëndrim ku ata nuk jetojnë dhe së dyti, duhet të qëndrojnë me zor përtej planeve ose mundësive të tyre. Ndoshta në lehtësirat që duhet t’ua ofrojë Maqedonia ish-qytetarëve të shpërngulur, duhet të jetë edhe për gjeneratën e dytë ose të tretë, pra, që edhe fëmijët e tyre të marrin shtetësinë në bazë të origjinës së prindërve të tyre.
E drejta për të kthyer shtetësinë e vendit të tyre të origjinës, duhet t’u mundësohet edhe për shkak të kontekstit historik të vetë procesit të shpërnguljes. Ndonëse në aspektin formal shpërnguljet kanë pasuar pas marrëveshjeve bilaterale, është i njohur dhe dëshmuar qëllimi për pastrim etnik, i ndihmuar edhe me mjete të dhunës dhe propagandës, që shpërngulja assesi nuk ka qenë në mënyrë vullnetare. Madje pushtetet e dikurshme, me mjetet e presionit edhe i kanë shkelur ato marrëveshje. Pikërisht në emër të zbutjes së një padrejtësie historike, marrja e shtetësisë së Maqedonisë mund të jetë të paktën një satisfaksion emotiv, edhe pse të shpërngulurit nuk kanë pretendime kthimi, por mund t’ju lehtësohen vizitat te familjarët e tyre pa vizat që sot kanë nevojë për të kaluar nëpër Bullgari ose Greqi.
Këtu ka nevojë të kthehemi pak te përpjekjet që janë bërë deri tash përmes përfaqësuesve diplomatikë, sepse, siç e përmenda edhe më sipër, sikur harrohet “struktura” e të shpërngulurve. Diplomati i cili foli në atë emision debativ për vizitat e shumta “te maqedonasit”, nuk përmendi fare se prej Maqedonie më së shumti janë shpërngulur shqiptarë, e pastaj edhe turq, boshnjakë e torbeshë (“maqedonas”, siç do të preferonte ai). A ka qenë në agjendën e politikave të përafrimit me ish-shtetasit e Maqedonisë vetëm për ndonjë agjendë të caktuar politike? Bie fjala, zgjimin e tyre kombëtar për qëllim të përdorimit të tyre si elektorat të mundshëm? Mbase ashtu u la të kuptohet nga debati i përmendur, ndaj dhe nxit nevojën që qeverisja aktuale, nëse ka ndonjë strategji për t’u ofruar ndonjë ndihmë këtyre njerëzve, këtë ta bëjë në mënyrë jo selektive.
Ja, pra, kjo është një temë edhe për ministrin aktual, i cili rastisi të jetë shqiptar (Edmond Ademi), që në dallim nga përpjekjet e mëparshme, të ketë një qasje më subtile për të shpërngulurit nga Maqedonia për Turqi, të përjashtohet çdo dallimi në baza etnike, dhe si kriter kryesor duhet të jetë ai që është tash, lindja. Kjo qeveri në disa çështje kruciale u tregua e guximshme dhe jo paragjykuese, ndaj dhe në këtë çështje mund të bëjë diçka të tillë. Duhet të hiqet frika se me dhënien e shtetësisë do të mund të ndikojë në ndonjë ndryshim të strukturës etnike, siç disa qarqe nacionaliste dinë t’i “tirojnë” gjërat gjer në iracionalitet. Nuk besoj se me marrjen e shtetësisë së Maqedonisë dikush, pas më shumë se gjysmë shekulli largim nga vendi i tij, do ta lë jetën më të mirë në Turqi për t’u kthyer në vendlindje, përveç se dikush që mund ta lë amanet t’ia sjellin eshtrat këtu. Gjërat kanë shkuar tepër larg që të ketë ndonjë kthim.
- “FALEMINDERIT, BDI…”
Lexojeni këtë pohim të mëposhtëm pa paragjykime e ngarkesë emotive ose motive politike, dhe pastaj komentojeni a është apo nuk është objektiv. “Ne ndonjëherë flasim jerm me sy çelë. Ky është sport i adhuruar në vendin tonë, jermi dhe dërdëllisje sikur të bëhet fjalë për ndonjë botë paralele. Këto vitet e fundit u bë modë të pështyhet dhe “hejtet” (urrehet) BDI-ja. Kurse realiteti është dëshpërues për ne. Ne QYTETARIA nuk u çliruam nga VMRO-DPMNE-ja, por na ndihmoi BDI-ja. Ne QYTETARIA nuk shpëtuam vetë nga Silanica (Gordana Siljanovska-vër.e aut.), por BDI-ja na ndihmoi. E për çka “dreqin” pështyjmë pas BDI-së? Çka duam më tepër nga BDI-ja?!…A e dini sa fitoi LSDM-ja dhe koalicioni i saj më 2016? 30.000 vota më pak se VMRO dhe koalicioni i saj! Të mos ishte BDI-ja që ta thyente parimin E VET për koalicionim FITUESI ME FITUESIN, ne ende do ta kishim VMRO-në në pushtet sot e kësaj dite, sepse QYTETARIA ASHTU VENDOSI!!! Për Stevon, sigurisht e dini, është ende e freskët, fitoi mbi 60 mijë vota më shumë se Silanica, që do të thotë se pa votat e BDI-së, Silanica do të ishte kryetare dhe ne do të argëtoheshim me marrëzitë e saja. Ashtu do të ishte, sepse QYTETARIA maqedonase ashtu vendosi. Prandaj, hajt të pushojmë të vjellim për BDI-në, sepse ata na vijnë pas ne qytetarëve dhe e pastrojnë bërllokun tonë, sepse jemi të paaftë të zgjedhim se nga duhet të ecë shteti. Të mos ishte BDI-ja, Maqedonia sot ende do të ishte kërthizë e Evropës dhe botës, ndaj duhet t’i ngremë përmendore BDI-së, e jo për çdo ditë të vjellim për të. BDI-ja momentalisht është grupacioni politik më i kthjellët dhe më i ndërgjegjshëm në vend dhe të mos ishin ata, do të na shkruhej keq për jetë të jetëve. Të faleminderit BDI për gjithçka”.
Mos u ngutni. Ky pohim nuk është imi, edhe pse lidhur me zhvillimet politike të dy-tri viteve të fundit, edhe vlerësimet e mia janë të ngjashme. Ky pohim nuk është as i ndonjë militanti a simpatizanti të BDI-së. Autori I këtij shkrimi i Sasho Ivanovskit-Politiko, pronari i portalit maktel.mk, njërit nga portalet më të lexuara dhe më të afërta me LSDM-në. Sadoqë konsiderohet ndër opinionistët kontroversë për shkak të stilit dhe fjalorit të tij, më duket se në çështjen e rolit të BDI-së në zhvillimet e viteve të fundit, nuk ka çka t’i shtohet as t’i kontestohet. Duke e përkrahur pa rezervë qeverinë aktuale të LSDM-së dhe koalicionit, me këto vlerësime u bënë oponencë të haptë pikërisht zërave brenda LSDM-së, të cilat po bëjnë disa kalkulime që bien ndesh me realitetin.
- NUK PËRKRAHET HAJDUTI PËR SHKAQE PATRIOTIKE!
Nuk ia di ndonjë këngë që më ka fjetur për veshi, ama e kuptova këto ditë si paskim një këngëtare me emrin Loredana. Për fat të keq, atë e njoha përmes lajmit nga kronika e zezë, sepse autoritet zvicerane e kanë akuzuar për mashtrim. Pra, në një shtet evropian, ku sundon e drejta shumë më mirë se në këto shtetet tona në këmbë të qelqta. Nuk përbën ndonjë lajm për t’u tronditur, kriminelë ka gjithandej, që nga njerëzit e rëndomtë, e gjer te mjekët, profesorët, politikanët…, ndaj pse të mos kishte edhe në mesin e këngëtarëve. Por, ajo çka më bëri përshtypje ishte përkrahja ndaj Loredanës nga shumë kolegë të saj! Mbase për shkaqe patriotike!
Vetëmse nuk e di sa mund t’u bëjë nder një mbrojtje apriori vetëm pse është shqiptare? Në mesin e përkrahësve është edhe një koleg i saj, i cili është edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, që indirekt flet për perceptimin se si në Kosovë perceptohet ligji i së drejtës!
Unë për vete aspak nuk jam i lumtur kur lexoj të shkruhet për trafikantët shqiptarë të drogës, mashtrues, grabitës e plaçkitës bankash, ose se sa “lartë” rangohet mafia shqiptare në disa vende, ndaj s’na bën nder as Loredana me të vëllamë me dyshimin për 900 mijë franka mashtrim të çiftit zviceran, pavarësisht pretekstit që ajo ka dhënë publikisht. Ta lëmë gjyqi ta dëshmojë veprën e saj nëse është e pafajshme, e jo të rreshtohemi në përkrahje pa i ditur faktet vetëm pse është shqiptare!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)