“Për momentin që flasim, tek stacioni për ngarkim-shkarkim kemi një defekt, janë dëmtuar sensorët, është punuar gjatë dy ditëve të kaluara, shpresojmë që shumë shpejt të lëshohet në përdorim. Transportojmë rregullisht për në deponinë Drislla në Shkup, mirëpo ky problem na ka sjellë vështirësi, sepse sasia e madhe e mbeturinave është në këtë stacion”, thotë Ceka
Urim HASIPI
Tetovë, 31 korrik – Brenda tre muajve, dy herë është shkaktuar defekt në Stacionin për grumbullimin e mbeturinave në Tetovë. Kjo ka bërë që të shtohet sasia e mbeturinave në këtë stacion. Problemi, sipas drejtuesit të Ndërmarrjes Publike Komunale Tetova-Tetovë, Xhelal Ceka, pritet të tejkalohet shpejt dhe të fillohet me punë normalisht.
“Për momentin që flasim, tek stacioni për ngarkim-shkarkim kemi një defekt, janë dëmtuar sensorët, është punuar gjatë dy ditëve të kaluara, shpresojmë që shumë shpejt të lëshohet në përdorim. Transportojmë rregullisht për në deponinë Drislla në Shkup, mirëpo ky problem na ka sjellë vështirësi, sepse sasia e madhe e mbeturinave është në këtë stacion”, thotë Ceka.
Qyteti i Tetovës në anën tjetër vazhdon të përballet me problemin e mbeturinave. Sidomos tani në muajt e verës me rritjen e fluksit të qytetarëve dukshëm është rritur edhe sasia e mbeturinave, të cilat i gjen në çdo cep të qytetit, në kontejnerët e stërmbushur që me rritjen e temperaturave, kundërmojnë një erë të keqe. Pastrimi i qytetit dhe hedhja e mbeturinave vend e pa vend është një problem tepër shqetësues për të gjithë qytetarët e Tetovës dhe rrethinës. Ata shprehen të revoltuar nga kjo gjendje dhe shprehen se mirëmbajtja e pastërtisë publike në qytetin e Tetovës nuk është në nivelin e duhur, ndërsa fajin për këtë e kanë edhe qytetarët e pandërgjegjshëm që mbeturinat i hedhin vend e pa vend, por edhe ndërmarrja publike komunale që nuk menaxhon si duhet me mbeturinat e qytetit, gjegjësisht nuk i mbledh ato me kohë dhe për pasojë lejon që të kundërmojnë një erë të keqe.
“Higjiena publike nuk është në nivel, ka gjithandej mbeturina të ndryshme. Kjo për fajin e atyre që mirëmbajnë pastërtinë dhe vet qytetarëve që hedhin kudo mbeturina. Duhet që qyteti të pastrohet rregullisht që të kemi një qytet më të pastër, dhe jo vetëm sipërfaqësisht”, thonë qytetarët. Drejtori Ceka nga ana tjetër shprehet se gjatë këtyre dy muajve do të angazhohen edhe 20 punëtorë sezonal.
“Është e vërtetë që në muajin korrik dhe gusht kemi fluksin më të madh të qytetarëve, normal rritja e popullsisë krijon telashe, sidomos ndonjëherë kemi edhe bllokim të qytetit dhe për shkak të automjeteve të shumta – nuk arrijmë në kohë që bëjmë pastrimin. Në këtë kohë kemi arritur marrëveshje që të angazhojmë 20 punëtorë shtesë sezonal për ta mbajtur qytetin në nivel. Mundohemi të jemi në fokus të punës, por probleme kemi gjatë grumbullimit, larjes dhe pastrimit të qytetit”, thotë Ceka.
Sipas të dhënave, në këtë periudhë, sasia e mbeturinave shtohet prej 50 deri në 70 ton në ditë në qytetin e Tetovës, kurse momentalisht sasia e mbeturinave në Tetovë arrin 280 ton në ditë. Tashmë mbeturinat transportohen për në deponinë Drislla, që është shumëfish më e shtrenjtë për shkak të distancës dhe përderisa nuk merr epilog deponia në Gostivar, Tetova dhe komunat e Pollogut do të dërgojnë mbeturina në Drislla dhe kjo në masë të madhe ndikon që komunat të mos mund të menaxhojnë mirë me mbeturinat në këtë rajon që ka rreth 170 mijë banorë. (koha.mk)