Laura PAPRANIKU
Shkup, 22 dhjetor – Arsimit të mesëm profesional trevjeçar edhe mund ti ketë humbur vëmendja dhe interesimi nga ana e nxënësve, mirëpo jo edhe nga politikat arsimore. Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) do të vazhdojë të investojë për reformimin e këtij lloj shkollimi, madje duke rritur laramaninë e arsimit profesional edhe me drejtime dyvjeçare, shkruan gazeta KOHA. Gjithë kjo, në kuadër të nxitjes dhe mbështetjes së frymës për arsim të përjetshëm dhe orientimit të strategjive arsimore në nivelin e mesëm gjatë shtatë viteve të ardhshme.
Realisht është shumë i vogël numri i nxënësve, të cilët zgjedhin të regjistrojnë shkolla të mesme profesionale në kohëzgjatje prej tre vjet. Shumë pak nxënës regjistrojnë këtë lloj shkollimi pavarësisht stimulimit të vazhdueshëm të politikave për një shkollim sipas kërkesave të tregut, apo “shkollave të zanatit”, sikurse quhen ndryshe drejtimet që zgjasin tri vet. Sipas të dhënave të MASH-it, ky lloj shkollimi përbën vetëm 4 për qind të shkollimit të mesëm në Maqedoni. Në vitin shkollor 2016/2017, numri i nxënësve në arsimin e mesëm profesional trevjeçar nuk ishte më i lartë se 3053 nxënës dhe që është 4.1 për qind e numrit të përgjithshëm të nxënësve në arsimin e mesëm të po atij viti. Konkretisht, vitin e kaluar shkollor – në të gjitha shkollat e mesme ishin përfshirë 74.684 nxënës, prej të cilëve 30.638 në arsimin e gjimnaz dhe 44.046 nxënës në arsimin e mesëm profesional. Ndërkaq, nga numri i nxënësve në arsimin e mesëm profesional, vetëm 3053 ishin të përfshirë në drejtimet që zgjasin tre vjet, kurse 41.011 në drejtimet që zgjasin katër vjet. Pra, edhe po ta krahasojmë numrin e atyre që vijojnë arsimin profesional trevjeçar me numrin në përgjithësi të arsimit profesional, nuk është e vështirë të shihet se si shkollimi në kohëzgjatje trevjeçare nuk përbën ndonjë përqindje të konsiderueshme. E parë nga ky prizëm, numri i nxënësve në arsimin e mesëm profesional trevjeçar përben 6.9 për qind të arsimit profesional në përgjithësi, ndërsa në kuadër të komplet arsimit të mesëm, ai përbën vetëm 4.1 për qind. Por pavarësisht kësaj, përcaktimi i MASH-it është që t’i kushtohet rëndësi këtij shkollimi edhe në të ardhmen. Kjo në mënyrë të qartë është shkruar edhe në Strategjinë Gjithëpërfshirëse të Arsimit për periudhën 2018-2025.
Rritja e përfshirjes së nxënësve në arsimin profesional është një prej prioriteteve të kësaj Strategjie, ndërsa nuk është harruar të vihet theksi te drejtimet trevjeçare. “Që të harmonizohet oferta e arsimit të mesëm profesional me nevojat e tregut të punës, do të vazhdojnë të bëhen përpjekje për përsosjen e mëtejshme të programeve mësimore”, qëndron e shkruar aty, ndërsa nënvizohet fati se edhe në të kaluarën janë përgatitur plane dhe programe për reformimin e arsimit të mesëm profesional trevjeçar dhe se paralelisht kësaj – janë trajnuar dhe aftësuar edhe mësimdhënësit për tema si: shfrytëzimi i metodave bashkëkohore, pjesëmarrja aktive e nxënësve dhe nxitja e kreativitetit të tyre, si dhe përsosmëria profesionale e mësimdhënësve. Një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e atyre elementeve, sikurse dihet, ka dhënë Projekti për modernizimin e sistemit arsimor dhe trajnimit, i mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian. Ai projekt u pasua më vonë me Projektin për zhvillimin e aftësive dhe mbështetjen e inovacioneve në arsimon e mesëm profesional katërvjeçar. Me çka “hapet një etapë e re në zhvillimin e arsimit të mesëm në Maqedoni”, sikurse vlerësohet në dokumentin e asaj Strategjie.
Por pavarësisht të gjithave, arsimi i mesëm profesional ka në mënyrë permanente problemin e numrit të vogël të nxënësve, në përjashtim të profileve të caktuara të drejtimeve të mjekësisë dhe ekonomisë. Përveç kësaj, nuk është vendosur ende sistemi bashkëkohor i shkollimit post nivelit të arsimit të mesëm dhe janë shumë të limituara kapacitete për sigurimin e inkluziviteti në shkollat e mesme. Një e dhënë tjetër interesante është numri i konsiderueshëm i atyre që pasi kryejnë arsimin e mesëm trevjeçar i kthehen ri shkollimit. Konkretisht, vitin që shkoi ishin 1049 nxënës të cilët kishin regjistruar plotësimin e shkollimit të tyre nga tre në katër vjet, pasi nuk mund ta gjejnë veten në tregun e punës. (koha.mk)