Gjithsej 136 milionë euro janë siguruar për ndërtimin e stacionit filtrues për ujërat e zeza në Shkup, por Qeveria do të ndërmarrë aktivitete në bashkëpunim me BIE dhe BERZH-in për sigurimin e grantit shtesë që të ulen shumat e huas, vëri të ditur sot Ministria e Financave.
Nga 136 milionët e siguruara, 68 milionë euro janë nga Banka Investuese Evropiane (BIE), 58 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ndërsa 10 milionë euro janë grant nga BIE përmes Economic Resilience Initiative (ERI), transmeton KOHA.
Stacioni filtrues do të vendoset në Komunën e Gazi Babës, në bregun e majtë të lumit Vardar në zonën e Trubarevës dhe do t’u shërbejë mbi 500.000 banorëve. Implementues i projektit do të jetë NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit, Ministrinë e Mjedisit jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrisë së Financave. Ndërtimi i stacionit filtrues duhet të fillojë në vitin 2020.
“Trajtimi i ujërave të zeza në Shkup do të zgjidhet përgjithmonë me ndërtimin e stacionitfiltrues, me çfarë do të ulet ndotja e lumit Vardar dhe do të ngrihen standardet për mbrojtjen e mjedisit jetësor. Qeveria në seancën e fundit i miratoi ligjet për financimin e projektit dhe ia dërgoi Kuvendit”, informoi Ministria e Financave.
Hartimi i studimit fizibilit për stacionin filtrues për ujëra të zeza në Shkup u financua nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë.