Shkup, 3 dhjetor – Buxheti i vitit 2020 nuk parasheh mjete për subvencionimin e automjeteve, siç ishte paralajmëruar më herët. Grupi i punës, i cili ka qenë i formuar dhe e ka shqyrtuar këtë çështje ka vendosur që këto mjete të alokohen atje ku do të japin efekt më të mirë, njofton KOHA.
Këtë sot e njoftoi ministrja e Financave, Nina Angellovska, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve në konferencën për shtyp për projektin “Bli shtëpi, bli banesë”, duke paralajmëruar se së shpejti do të publikohet më tepër për Ligjin për tatim të automjeteve, i cili është i miratuar në Qeveri dhe për masa tjera që janë në drejtim të zvogëlimit të ajrit të ndotur.
“U bisedua dhe u vendos se prioritet i Qeverisë është që mjetet të alokohen atje ku do të japin rezultate më të mira. Ajo masë u diskutua, kishte grup pune, i cili u formua dhe mjetet janë alokuar për të dhënë efektin më të mirë”, deklaroi ministrja Angellovska, duke shtuar se qëllimi është që mjetet e qytetarëve të orientohen përmes cilitdo projekt dhe të japin rezultate më të mira.
Ministrja e Financave, Nina Angellovska, tha se ajri i ndotur është një prej prioriteteve të Qeverisë dhe se në Buxhet ka më shumë masa të cilët janë inkorporuar në ministri të ndryshme.
“Programi i Qeverisë është 100 milionë, në Ministrinë e Mjedisit Jetësor ka 70 milionë, që i bie 20 milionë më tepër se vitin e kaluar, për subvencionimin e kondicionerëve inverterë janë paraparë 620 milionë denarë. Edhe në Ministrinë e Ekonomisë për subvencionimin e instalimin e pajisjeve të gazit në automjete janë paraparë 18 milionë denarë. Kësaj ia shtuam edhe Ligjin e ri për tatim të automjeteve në drejtim të zvogëlimit, për të cilën tatimi do të përcaktohet në bazë të vlerës, në bazë të ndotjes, si dhe gazifikimi në vlerë prej 1,1 miliardë denarë. Këto janë masat e paraparë në Buxhet”, tha ministrja Angellovska. (koha.mk)