Populli në momente të vështira, kur mbështet për muri, prehje gjen te përrallat. Populli ka marrë shumë mësime nga përrallat dhe anekdotat. Një përrallë e tillë jo vetëm që zbulon mashtrimin e funksionimit të një shteti, por edhe demaskon deri në fund mashtrimin, ndonëse edhe nga kjo s’ka ndonjë fajde. Më në fund, shkopin e hanë përsëri populli
Nga Ismail ARSLLANI
Shpesh na ndodh të dëgjojmë nga individë të ndryshëm këto refrene: “Nuk na pranojnë në Bashkimin Evropian, nuk na besojnë, na thonë të bëhemi të drejtë ndaj të tjerëve dhe ndaj vetvetes, për dobinë tonë! Na thonë punoni me nder: mos vidhni, mos merrni ryshfet, para gjyqit të jenë të njëjtë! Por ne shtiremi si të shurdhër, jo që nuk i dimë këto punë, por jemi lakmitarë dhe të pafytyrë, nuk kemi turp, nuk kemi përgjegjësi, nuk kemi moral, nuk i frikohemi padrejtësisë ndaj të tjerëve, nuk na bren ndërgjegjja…”
Ç’është e vërteta, këto virtyte të këqija i kemi strukturuar në mekanizmat e funksionimit të shtetit dhe të mbajtjes së pushtetit, aq mirë e aq në mënyrë perfide, sa që nuk na intereson vuajtja e tjetrit, kur është në pyetje lumturia vetjake. I premtojmë popullit e punojmë për vete. Vit pas viti, ky sistem, kjo skemë funksionimi të shtetit u bë model për mbajtje të shtetit, me kritere dhe vlera të përmbysura. Atë që thonë, pushtetarët kanë kapur shtetin, populli e di dhe s’është aq i marrë që mos t’i di këto marifete të pushtetit, por s’ka çka të bëjë: Shiko poshtë – tokë, shiko lart – qiell…! S’e sheh diellin! Dikush diellin po e mbulon me shosh.
Mirëpo, populli në momente të vështira, kur mbështet për muri, prehje gjen te përrallat. Populli ka marrë shumë mësime nga përrallat dhe anekdotat. Një përrallë e tillë jo vetëm që zbulon mashtrimin e funksionimit të një shteti, por edhe demaskon deri në fund mashtrimin, ndonëse edhe nga kjo s’ka ndonjë fajde. Më në fund, shkopin e hanë përsëri populli.
Përralla në fjalë ka këtë rrëfim: “Ka qenë i ulur mbreti në fronin e tij dhe ka dëgjuar se si dikush nga jashtë po bërtet: “Urdhëroni, urdhëroni, molla të ëmbla si sheqeri…!” Është ngritur mbreti nga vendi dhe ka shikuar nga dritarja. Ka parë një plak që po i shet mollët me një karrocë dhe njerëz që presin rend për të blerë. Është lakmuar mbreti dhe e ka thërritur këshilltarin e vet: “Ja pesë lira ari, vrapo që të më blejsh pak molla!”
Këshilltari e ka thërritur ministrin dhe i ka thënë: “Ja ku i ke katër lira ari, vrapo t’i blejsh molla për mbretin!”. Ministri e ka thërritur ndihmësin e tij dhe i ka thënë: “Ja tri lira ari, vrapo t’i blejsh molla për mbretin!”. Ndihmësi e ka thërritur shefin e rojës dhe i ka thënë: “Ja dy lira ari, vrapo t’i blejsh molla për mbretin!”. Shefi i rojës e ka thërritur njërin prej rojeve dhe i ka thënë: “Ja një lirë ari, vrapo t’i blejsh molla për mbretin!”.
Rojtari ka dalë jashtë dhe i është kërcënuar shitësit të mollëve: “Hej, ti, çka po ulërinë aq shumë? Si të duket ky vend, si pazar apo si oborr mbretëror? Leri mollët dhe mos të të shoh më këtu!” Plaku i frikësuar ka ikur, duke lënë aty karrocën me molla. Karrocën me molla e merr rojtari dhe e fut në oborr. Pas pak, pasi e shkarkon në dhomën e vet gjysmën e mollëve, rojtari shkon te shefi i tij dhe i thotë: “Ja shef, kam bërë një biznes të mirë, për një lirë ari kam marrë gjysmë karrocë me molla!”. Shefi i rojës ka shkuar te ndihmësi i ministrit: “Ja, ekselencë, për dy lira ari mora një thes me molla!”. Ndihmësi ka shkuar te ministri: “Ja ministër, për tri lira ari, të solla një strajcë me molla!”. Ministri ka shkuar te këshilltari, duke iu drejtuar: “Ja, për katër lira ari, një gjysmë strajcë molla për mbretin!”. Këshilltari, më në fund ka shkuar te mbreti dhe i ka thënë: “Ja, madhëria juaj, ashtu si urdhëruat, Ju kam prurë këto pesë molla!”.
Është mbështetur mbreti në kolltukun e vet dhe ka filluar të mendohet: “Pesë molla, për pesë lira ari!?” Ndërsa populli pret rend për të blerë?! Ka vendosur mbreti aty për aty: “Këtij populli duhet t’ua shtojmë tatimet…!”. (koha.mk)