Shkup, 29 mars – Në organizim të agjencisë “Marili” sonte në Shkup do të mbahet zgjedhja e 22-të e Top 10 menaxhereve më të suksesshme në Maqedoni. Zgjedhja e sivjetme mbështetet nga ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Mila Carovska, e cila do të jetë e pranishme dhe do të ketë fjalim para laureatëve.
Zgjedhja bëhet nga gratë menaxhere nga sektori privat. Fitueset e sivjetme të mirënjohjes janë: Lenka Mukaetova nga KonsaltingInterGrup, Lidija Taskova-Popova “ESP”, Gorica Daçevska IPSH “Dr. Gorica Daçevska”, Irena Jakimovska “Komfi Angel”, Jana Janevska-Risteski, Qendra për art bashkëkohor figurativ, Elena Tabakovska “Farmagen”, Slagjana Stamenkova “Elit Travel”, Aleksandra Argir nga Birraria e Shkupit, Magdalena Trajkovska-Tërpevska, menaxhere e përgjithshme në Tehnolab dhe Natasha Stojkovska nga “Vitaminka”.
Për të qenë pjesë e Top 10-shes më të suksesshme, ata duhet të jenë mirë të pranuara në mjedisin e tyre të punës edhe atë jo vetëm nga ekipi menaxhues, por edhe nga të gjithë të punësuarit, duhet të jenë nga fusha dhe veprime të ndryshme.
Deri më tani janë përzgjedhur 220 gra për menaxhere më të suksesshme në vend. Çdo vit zgjedhen tradicionalisht nga 10, ndërsa me rastin e 20 vjetorit të organizimit janë përzgjedhur 20 menaxhere më të suksesshme.
Përveç zgjedhjes tradicionale të 10 grave më të suksesshme menaxhere, “Marili” sivjet për të katërtën herë e organizon edhe Ditën e shëndetit.
Menaxherja e përgjithshme e “Marili” Lidija Tripunovska thotë se sivjet fokusi do të vendoset në ditën tematike për shëndetin dhe bukurinë në funksion të gruas bashkëkohore të titulluar si “Zonja Po” që do të mbahet më datën 31 të këtij muaji.
Në ditën edukative do të ketë ligjërata, prezantime dhe ankand humanitar të fotografive, ndërsa mysafire speciale është shkrimtarja nga Serbia, Jelena Baçiq Alimpiq.