Më 10 tetor të vitit 1999 është formuar Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Kjo parti që nga viti 2007 është në pushtet dhe fillimisht ka pasur kryetar Hashim Thaçin, tashmë president i Kosovës. Pasi që Kushtetuta nuk lejon mbajtjen njëkohësisht të postit të presidentit dhe të kryetarit të partisë, Thaçi dha dorëheqje nga funksionet e tij në parti. Pas kësaj, PDK ka mbajtur Kuvendin zgjedhor ku për kryetar u zgjodh Kadri Veseli, që tani është edhe kryetar i Kuvendit.
Si ekzekutiv i PDK-së është Kryesia, e cila zgjidhet nga Këshilli Drejtues dhe numëron 28 anëtarë. Partia Demokratike e Kosovës ka nisur historinë e saj qeverisëse nga viti 2001-2004, kur atëbotë u zgjodh kryeministër Bajram Rexhepi bashkë me dy ministra nga tabori i kësaj partie. PDK aktualisht është në koalicion qeverisës me AKR-në dhe AAK-në, ku postin e kryeministrit e mban AAK-ja. Kjo parti, sot me fillim nga ora 17:00 mban konventën për hapjen zyrtare të procesit të zgjedhjeve të brendshme.