Bruksel, 14 nëntor – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg në një intervistë për Dojçe Velen deklaroi se të gjitha anëtaret e Aleancës pajtohen se sistemi i ri raketor i Rusisë është arsye për tu shqetësuar.
Duke e komentuar paralajmërimin e SHBA-së se tërhiqen nga marrëveshja me Rusinë për predhat bërthamore me rreze të mesme veprimi, Stoltenberg thotë se Moska duhet që të tregojë se po e respekton marrëveshjen.
“Sistemi raketor rus po e rrezikon marrëveshjen për predha bërthamore me rreze të shkurtër veprimi. Raketat e reja ruse janë mobile, zbulohen me vështirësi dhe janë të konstruktuara që të mund të mbajnë edhe koka bërthamore. E rrisin shkallën e gatishmërisë për përdorimin e armëve bërthamore në goditje, ndërsa rrezja e veprimit është e tillë sa mund të arrijë deri tek qytetet evropiane, duke përfshirë edhe Berlinin”, deklaroi Stoltenbergu.
Ai përkujtoj se edhe administrata e Barak Obamës i ka bërë thirrje Rusisë që në tërësi ta respektojë marrëveshjen.
“Ne edhe më tej i bëjmë apel Rusisë që ta respektojë marrëveshjen, sepse asnjë marrëveshje për kontroll të armatimit nuk mund të jetë efektive nëse respektohet vetëm nga njëra palë”, deklaroi Stoltenbergu.