Laura PAPRANIKU
Shkup, 23 shkurt – Është nënshkruar një tjetër program bashkëpunimi mes Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës (MASH) dhe Fondacionit të Fëmijëve pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNCEF) për vitin 2018, shkruan gazeta KOHA. Programi i firmosur nga ministria Renata Deskovska dhe përfaqësuesi i zyrës së UNICEF-it për Maqedoninë, Benxhamin Perks ka të bëjë me përmirësimin e cilësisë së arsimit, respektivisht obligimit që marrin palët në përpjekje për të përmirësuar cilësinë e sistemit arsimor.
UNICEF edhe ashtu është një prej partnerëve serioz për Maqedoninë në mbështetjet që i ka dhënë MASH-it për realizmin e shumë projekteve me qëllim të tejkalimit të sfidave në fushën e arsimit. Jo më larg se viti i kaluar u ofrua ndihmë për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies në nivelin e arsimin fillor, pasi paraprakisht Deskovska dhe Perks ishin dakorduar se janë tepër shqetësuese rezultatet që kanë treguar nxënësit tanë në testimet ndërkombëtare të PISA-s. Tani në radhë, sipas Programit të bashkëpunimit për vitin 2018 vjen mbështetja për përmirësimin e cilësisë në sistemin arsimor, pa përjashtuar këtu edhe rregullativën ligjore.
“Programi vjetor i bashkëpunimit parasheh që mbështetja të orientohet drejt përmirësimit të sistemit për sigurimin e cilësisë përmes realizimit të analizave që kanë të bëjnë me qasjen për vlerësim dhe evaulim, rritjen e kapaciteteve për drejtimin e shkollave si dhe nxitjen e konkurrencës tek të rinjtë”, bëri të ditur ministria Deskovska. Për këtë, siç theksoi Perks, UNICEF do të sigurojë mbështetje për zhvillim të strategjive për ndërtimin e sistemit të vlerave te të rinjtë dhe për zhvillim profesional të mësimdhënësve për zbatimin e programeve të reja mësimore dhe metodologjive të mësimdhënies. Aktivitetet në kuadër të këtij Programi, do të orientohen njëkohësisht edhe drejt arritjes së dijeve dhe dhuntive kryesore të pjesëmarrësve në arsim si dhe ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e fëmijëve, familjes dhe komunitetit për arsim inkluziv dhe cilësor.
Dy zyrtarët e lartë, ministrja Deskoska dhe përfaqësuesi i UNICEFI-it Perks me nënshkrimin e Programit të bashkëpunimit për vitin 2018 kanë konfirmuar vazhdimin e partneritetit mes institucioneve që ata përfaqësojnë dhe janë optimist se kështu do të vazhdohet dhe në të ardhmen. Mbështetja profesionale që sigurohet përmes UNICEF-it ka rezultuar me sensibilizimin e problemeve të ndryshme, një prej të cilave është edhe studimi që u realizua para një viti rreth peshës trupore në nxënësve në arsimin para universitar. Gjetjet e atij studimi, treguan se në Maqedoni një në tre fëmijë është i rrezikuar nga mbipesha. Konkretisht, të dhënat e publikuara në nëntor të 2017 treguan se “14 për qind e djemve të moshës 11-të vjeçare janë me peshë të madhe trupore për dalim prej shteteve të BE-së ku kjo kategori fëmijësh është në nivelin e 4 përqindëshit”.
Pasuan rekomandimet e nutricionistëve për konsumim më të madh të fruta dhe perime të freskëta në ushqyerjen e përditshme të fëmijëve si dhe llojeve të ndryshme të sallatave dhe ushqimit midis vakteve kryesore. Më pas kjo u bë pjesë e mësimit gjatë orëve të në kujdestarisë, duke u ngjitur deri në nivelin e agjendës së ministres Deskovska dhe përfaqësuesit të UNICEF-it për të realizuar një vizitë në shkollën fillore “Avram Pisevski” të Shkupit. Qëllimi i vizitës ishte sensibilizimi i nevojës për ushqyerje të shëndetshëm të nxënësve gjatë qëndrimit në shkollë. (koha.mk)