Organizata joqeveritare kosovare “Demokracia Studentore” ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që kisha e ndërtuar në kampusin universitar të Universitetit të Prishtinës, që autoritetet serbe filluan ta ndërtojnë para luftës në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, të shndërrohet në muze të krimeve të luftës që ka bërë Serbia kundër popullit shqiptar të Kosovës.
Kërkesa e studentëve vijoi pas paralajmërimeve të kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli se në Prishtinë do të ndërtohet një muze i tillë.
“Ne studentët kërkojmë që objekti në kampusin e universitetit të Prishtinës, i cili është ndërtuar me dhunë nga kasapët e Ballkanit, Sllobodan Millosheviq dhe Zheljko Razhnatoviq – Arkan të shërbejë si muze i krimeve të luftës, të cilat i ka kryer Serbia mbi popullatën civile në Kosovë”, thuhet në komunikatën e organizatës studentore.
Kryetari i Demokracisë studentore Mexhit Ramusa paralajmëroi se do të mbledhin numër të madh të nënshkrimeve nga studentët dhe kërkesën do ta dërgojë deri te Kuvendi i Kosovës, me qëllim që të ndërtojë muze, për shkak se kjo kishë afër kampusit universitar e simbolizon dhunën dhe pastrimin etnik në Kosovë.(koha.mk)