Nga organizatat studentore thonë se Ministria e Arsimit dhe Shkencës përmes mospërfilljes së vazhdueshme të studentëve dhe mosrespektimit të afateve ligjore, i detyrojnë ata të kërkojnë sërish të drejtat e tyre me protesta dhe radikalizim të masave
Zenel MIFTARI
Shkup, 16 mars – Nuk bëhet pagesa e bursave, pagesa e ushqimit të studentëve është e parregullt, nuk ka rikonstruksion të konvikteve studentore, gjithçka që është rënë dakord vitin e kaluar nuk po realizohet. Këto janë arsyet pse studentët paralajmërojnë protesta të reja në Shkup. Por tani protestat do të plotësohen me postblloqe në mënyrë që zyrtarët e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) të kujtojnë se asnjë nga premtimet nuk është realizuar.
Nga organizatat studentore thonë se MASH përmes mospërfilljes së vazhdueshme të studentëve dhe mosrespektimit të afateve ligjore, i detyrojnë ata të kërkojnë sërish të drejtat e tyre me protesta dhe radikalizim të masave.
Nga Rezistenca studentore, thonë se tashmë po hyjnë në muajin e tretë të vitit të ri dhe MASH nuk ka përmbushur asnjë premtim. Pra vazhdimisht vonohet pagesa e ushqimit të subvencionuar të studentëve. Sipas ligjit, MASH është e obliguar që në ditën e parë të muajit të ri t’i paguajë mjetet (rreth 2.500 denarë) për muajin paraprak, kurse studentët i kanë marrë mjetet për muajin janar javën e kaluar. “Studentët që pranohen për herë të parë për bursë nuk kanë parë asnjë qindarkë, ndonëse vitin e kaluar pagesa filloi në nëntor, ndërsa tani po hyjmë në muajin mars. Rikonstruksioni i konvikteve të studentëve, edhe pse i paralajmëruar për vitin 2023, ende nuk ka nisur dhe nuk ka afat se kur duhet të përfundojë”, njofton nga Rezistenca Studentore.
Studentët përkujtojnë se negociatat në lidhje me ligjin e ri për ushqimin e subvencionuar të studentëve po zhvillohen në mënyrë krejtësisht jotransparente dhe se nuk ka asnjë informacion zyrtar se si do të bëhet rritja e pagesës prej 140 denarë në ditë.
Nga atje kanë shtuar se informacioni i fundit nga MASH është se deri më 15 mars do të paguhen të gjitha mjetet dhe do të kryhen të gjitha llogaritë. “Ne duam të besojmë se është kështu, megjithëse sipas përvojës së deritanishme nuk mund të jemi optimistë dhe të mbajmë fjalën e tyre. Siç e shohim, MASH-i ka guxuar ta neglizhojë këtë afat të vetëvendosur të 15 marsit, andaj në atë drejtim po paralajmërojmë protesta dhe bllokada në mbarë Shkupin. Jo si herën e kaluar me një protestë dhe një marshim, por një bllokim të përditshëm të të gjitha bulevardeve të kryeqytetit”, nënvizojnë nga atje.
Ndryshe, ministri i Arsimit shpjegoi se rikonstruksioni i konvikteve të studentëve nuk ka nisur pasi ka pasur problem me dokumentacionin. Ai nuk tha nëse problemi prek të gjitha konviktet e studentëve apo vetëm disa.
Në nëntor të vitit të kaluar, MASH dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski njoftuan se do të rikonstruktohen vetëm ato konvikte studentore që janë në gjendjen më të vështirë, “Stiv Naumov”, “Kuzman Josifovski – Pitu”, “Pelagonia”, tre, prej nëntë konvikteve gjithsej. Për këtë u siguruan mjete, por puna nuk filloi. Më herët protestat e studentëve u zhvilluan pas zbardhjes së planit të Qeverisë për uljen e fondeve për bursat e studentëve dhe numrin e përfituesve të racionit ushqimor të studentëve. Në protesta, studentët dolën me parullat “Nuk mëson kur ke uri dhe në të ftohtë”, “Racion studentor apo bast politik”, “Po dridhemi nga i ftohti, jo nga frika”. Këto mesazhe i drejtoheshin Qeverisë, MASH-it dhe deputetëve. (koha.mk)