Në Suedi është refuzuar kërkesa e organeve shtetërore të Maqedonisë për ekstradimin e Dejan Davidovski , i akuzuar për ngjarjet e Kuvendit më 27 prill të vitit 2017. Dejan Davidovski ishte arrestuar në Suedi në muajin prill të këtij viti me urdhër të Interpolit, shkruan Vecer.mk, transmeton gazeta Koha.
Vendimi se pse gjykata e Suedisë refuzon të dorëzojë në Maqedoni Dejan Davidovskin është sqaruar në 18 pika. Në sqarim theksohet se Dejan Davidovski sipas gjykatës suedeze ndiqet dhe duhet të gjykohet në proces politik e jo kriminal, dhe se nuk ekzistojnë dëshmi të mjaftueshme për veprën terrorizëm, ndërsa vlerësimi përfundimtar është se për këtë lëndë nuk ka procedurë të drejtë dhe të ligjshme. Për këtë arsye gjykata në Suedi i rekomandon Dejan Davidovskit të parashtrojë kërkesë për azil që të mos jetë tutje i ndjekur politikisht nga Maqedonia.
Ky është rasti i tretë që një vend evropian të japë vendim për ndjekje politike në Maqedoni dhe të refuzojë ekstradimin e personave të kërkuar nga autoritetet e Maqedonisë. Para Suedisë, Hungaria atë e bëri me ish kryeministrin Nikolla Gruevski, ndërsa Greqia për shkak të ndjekjes politike refuzoi ekstradimin e funksionarëve të MPB, Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski. (koha.mk)