Sipas rezultateve të studimit të kryer nga hulumtuesit në Universitetin e Nebraskës në Omaha, të publikuar në revistën mjekësore “Chest”, supa e pulës ka efekte antiinflamatore dhe mund të ndihmojë në luftën kundër ftohjeve. Hulumtuesit e studiuan në mënyrë specifike lëvizjen e neutrofileve për të parë nëse në kombinim me supën e pulës do të bllokohej apo reduktohej, transmeton Koha.net. Ata zbuluan se lëvizja e neutrofileve u reduktua në kombinim me supën, gjë që sugjeron për një mekanizëm të mundshëm antiinflamator që do t’i lehtësonte të paktën teorikisht ftohjet. “Ekzistojnë substanca në supën e pulës që mund të ndikojë në qelizat në trup të cilat mund të kenë efekt mjekësor”, tha dr. Stephen Rennard. Duke pasur parasysh se studimi është kryer në laborator dhe jo në njerëz, Rennard paralajmëron se ende duhet të hulumtohet absorbimi i substancave të cilat kishin efekte të dobishme në laborator. “Supa e pulës mund të ndihmojë shumë… por duhet të hulumtojmë më shumë”, tha ai. Sipas rezultateve të hulumtimit të kryer katër dekada më parë, aroma, erëzat dhe ngrohtësia e supës së pulës i pastrojnë sinuset dhe rrugët e frymëmarrjes. Shkencëtarët pajtohen se supa e pulës, sidomos ajo shtëpiake, ndihmon shumë në rastet e sëmundjeve, sepse e ka një vlerë të lartë ushqyese dhe është plot me vitamina dhe minerale.