Duke qenë se trupi juaj ka më pak qeliza të kuqe gjaku kur keni talasemi, shenja më e zakonshme që ju mund të keni është anemia.
Sa më e rëndë të jetë talasemia, aq më pak hemoglobinë ka trupi, dhe aq më e rëndë mund të jetë anemia. Sipas ekspertëve të shëndetit publik, kur ju keni anemi, mund të ndjeheni të lodhur apo të dobët.
Ju gjithashtu mund të shfaqni edhe simptoma të tjera siç janë: marrje mendsh, vështirësi në frymëmarrje, rrahje të shpeshta të zemrës, dhimbje koke, ngërçe muskulore, si dhe vështirësi në përqendrim, etj. Një nga problemet e tjera te personat me talasemi është zgjerimi në masë të madhe i palcës së kockave, duke i bërë ato më të holla dhe lehtësisht të thyeshme.
Kjo vjen për arsye se palca e kockave përpiqet të prodhojë gjithnjë e më shumë qeliza të kuqe për të luftuar aneminë, pra duke punuar më tepër se normalisht. Një tjetër organ që preket është shpretka, ku një prej funksioneve të saj është filtrimi i gjakut për të luftuar infeksionet.
Nëse ju keni talasemi, shpretka do të punojë shumë për të prodhuar më shumë qeliza gjaku, dhe për këtë shkak ajo nuk mund të përballojë punën për të filtruar gjakun dhe për të luftuar infeksionet. Për këtë arsye, njerëzit me talasemi janë me imunitet të dobët, që do të thotë se janë më të prekshëm nga infeksionet dhe ndonjëherë kanë nevojë për mbrojtje shtesë (si për shembull vaksina të gripit dhe vaksina të tjera).
Bluzat e bardha vënë në dukje se talasemia është një çrregullim që mund të mirëmenaxhohet me transfuzione gjaku dhe terapi. Lloji i trajtimit që merr një person me talasemi varet nga sa e rëndë është talasemia.
Një mënyrë për të trajtuar aneminë është furnizimi i trupit me më shumë qeliza të kuqe të gjakut përmes transfuzionit të gjakut. Transfuzioni i gjakut është i domosdoshëm për jetën e një talasemiku sepse: “Ju garanton organeve sasi të mjaftueshme oksigjeni, ndihmon palcën e kockave për të mos u sforcuar në prodhimin e rruazave të kuqe në mënyrë që kockat të rriten normalisht.
Shumë herë njerëzve me talasemi ju rekomandohet edhe vitaminë B, e njohur si acid folik, për të ndihmuar trajtimin e anemisë. Trajtimi me acid folik bëhet zakonisht sëbashku edhe me terapi të tjera. Sot, shërimi nga talasemia po bëhet gjithnjë edhe më i mundur nëpërmjet aplikimit të teknikave mjekësore të sofistikuara.