Duke folur për tarifat, përfshirë taksat e Trump, analisti i politikës së jashtme Boshko Jakshiç tha para pak kohësh se ky është një mesazh i qartë për autoritetet në Serbi. “Për ne, ky është një mesazh se ata që brohorasin për Trump nuk kanë vlerë, si dhe fakti që ne praktikisht i dhamë ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm. Pra, autoritetet në Serbi tani duhet të mendojnë me kujdes se me kë kanë të bëjnë dhe me kë duan të bashkëpunojnë”, tha Jakshiç
Megjithëse për një kohë të gjatë është konsideruar si një nga liderët ballkanikë me lidhje të mira me administratën e Donald Trump, presidenti serb Aleksandar Vuçiç nuk ka mundur ta shmangë goditjen ekonomike që vjen nga Shtëpia e Bardhë. Ish-presidenti amerikan, i njohur për qasjen e tij unilaterale dhe proteksioniste në politikën tregtare, ka vendosur tarifa të reja të ndjeshme ndaj importeve nga Serbia, plot 35 për qind, duke përfshirë edhe Bosnje dhe Hercegovinën me 30 për qind, masa që hyjnë në fuqi më 1 gusht. Këto vendime sfidojnë supozimin e përhapur se lidhjet personale dhe diplomatike me Trump ishin një garanci për përjashtim nga politikat ndëshkuese ekonomike. Tarifat e reja për dy vendet e Ballkanit Perëndimor, si edhe ato për një sërë vendesh të tjera do të hyjnë në fuqi më 1 gusht. Ato janë më të ulëta sesa ato që Trump i paralajmëroi në prill, 37% për mallrat nga Serbia dhe 35% për ato nga Bosnje dhe Hercegovina. Megjithatë, zbatimi i këtyre të fundit u shty për 90 ditë.
Trump i paralajmëroi tarifat e reja në letrat drejtuar udhëheqësve të vendeve, në rastin e Serbisë, presidentit Aleksandar Vuçiç, ndërsa në rastin e Bosnje dhe Hercegovinës kryetares aktuale të presidencës, Zhelka Cvijanoviq. Këto letra janë të njëjta, përveç ndryshimeve në normat doganore që i vendosen secilit shtet veç e veç. Letra e Trumpit fillon duke thënë se është “nder i madh” për të që dërgon një letër, e cila tregon rëndësinë dhe përkushtimin e SHBA-së për marrëdhëniet tregtare me atë shtet. Ai shton se SHBA-ja ka pranuar ta vazhdojë bashkëpunimin tregtar me vendin në fjalë, pavarësisht “deficitit të konsiderueshëm tregtar” që SHBA-ja ka me të. Sipas tij, norma e deklaruar e tarifës, 30 për qind për Bosnje dhe Hercegovinën dhe 35 për qind për Serbinë, është shumë më e ulët se ao që nevojitet për të eliminuar pabarazitë dhe deficitin tregtar. Trump, gjithashtu, kërcënon se do t’i rrisë tarifat nëse vendet hakmerren, duke vendosur tarifa shtesë për importet nga SHBA-ja.
Në fillim të prillit, Trump vendosi tarifë 10% për importet nga Kosova. Masë të ngjashme, atëkohë, vendosi edhe për importet nga Shqipëria, kurse për ato nga Serbia ishte 37%, nga Bosnje dhe Hercegovina 35% dhe nga Maqedonia e Veriut 33%. Ekspertët vlerësuan se tarifat amerikane do të kenë shumë ndikim në Kosovë, për shkak të varësisë së madhe nga importet. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha atëkohë se zyra e saj ka bërë gati një ligj që do të mundësonte heqjen e tarifave prej 10% ndaj mallrave të importuara nga SHBA-ja, por se për miratimin e kësaj mase duhet fillimisht të konstituohet Kuvendi i ri. Kosova nuk e ka konstituuar ende institucionin ligjvënës, edhe pse zgjedhjet parlamentare janë mbajtur pesë muaj më parë.
Marrëdhëniet ndërmjet Trump dhe Vuçiçit, që në pamje të parë dukeshin të ngrohta, veçanërisht pas nënshkrimit të marrëveshjes së Uashingtonit më 2020 në prani të presidentit amerikan, kanë pasur gjithsesi luhatje të ndjeshme. Rasti më i bujshëm së fundmi ishte kur Vuçiç u largua papritur nga SHBA, me justifikimin zyrtar të një gjendjeje të rënduar shëndetësore. Megjithatë, burime të shumta diplomatike spekuluan se largimi kishte ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme dhe tensioneve të papritura në komunikimin me zyrtarët amerikanë, që tregoi se marrëdhënia e presidentit serb me administratën Trump nuk ishte aq solide sa pretendohej në publik. Në këtë dritë, vendosja e tarifave mund të interpretohet jo vetëm si një veprim ekonomik, por edhe si një sinjal politik për të mos keqinterpretuar raportet personale si garanci për përjashtim nga interesat kombëtare të SHBA-së.
Duke folur për tarifat, përfshirë taksat e Trump, analisti i politikës së jashtme Boshko Jakshiç tha para pak kohësh se ky është një mesazh i qartë për autoritetet në Serbi. Ai beson se autoritetet në Serbi tani duhet të mendojnë me kujdes. “Për ne, ky është një mesazh se ata që brohorasin për Trump nuk kanë vlerë, si dhe fakti që ne praktikisht i dhamë ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm. Pra, autoritetet në Serbi tani duhet të mendojnë me kujdes se me kë kanë të bëjnë dhe me kë duan të bashkëpunojnë”, tha Jakshiç.





