Fisnik PASHOLLI
Shkup, 15 shtator – Punëtorët në Maqedoni së bashku me ato në Bullgari renditen ndër më pak produktivët në Evropë. Ndërkaq, si punëtorë më produktiv dallohen ato të Luksemburgut dhe Norvegjisë. Sipas të dhënave të fundit të Zyrës Evropiane të statistikave-Eurostat, një punëtor në Maqedoni krijon vetëm 42.9 për qind të vlerës së shtuar të mesatares që e realizojnë kolegët e tij në nivel të Bashkimit Evropian, shkruan gazeta KOHA. Vetëm pak më mirë e renditur se Maqedonia është Bullgaria me 43 për qind, e pasuar nga Rumunia me 56.3 për qind.
Vlerësohet se produktiviteti i ulët i punëtorëve në Maqedoni paraqet një problem shumë-dimesional dhe që varet nga më shumë faktorë. Pagat e ulëta, teknologjia e vjetër e fabrikave, mungesa e njohurive dhe aftësive të mjaftueshme menaxhuese të drejtuesve që udhëheqin kompanitë, si shoqërore ashtu edhe private, mos-harmonizimi i shkathtësive të nxënësve dhe studentëve që dalin nga sistemi arsimor dhe kërkesave të tregut modern të punës, janë ndër faktorët kryesor që e rendisin Maqedoninë në fundin e listës lidhur me produktivitetin e punëtorëve. Në ndërkohë, nga shtetet e rajonit, produktivitet më të lartë të punëtorëve se ne e ka Kroacia me 73.1 për qind të vlerës së shtuar që krijojnë punëtorët në vendin e tyre të punës, pason Sllovenia me 79.8 për qind dhe Greqia me 87.1 për qind. Renditja e Eurostat tregon se shtetet më të pasura dhe me standard më të mirë jetësor kanë edhe punëtorë që krijojnë edhe më shumë vlera për ekonominë.
Punëtorët më produktiv janë ato të Luksemburgut me afër 163 për qind të mesatares evropiane, pason Norvegjia me afër 152 për qind dhe Zvicra me afër 122 për qind. Në të dhënat e Eurostat nuk figurojnë Kosova, Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina dhe Serbia.
Njohësit e tregut të punës thonë se punëtorët nga Maqedonia dhe rajoni nuk janë aq “dembel”sa pretendohet, për shkak se në të kundërtën nuk do të ishin aq të mirëseardhur dhe të kërkuar në shtetet perëndimore. Me fjalë të tjera në rezultatet e punës së sektorit, si privat ashtu edhe shtetëror, ndikojnë me të madhe edhe mungesa e njohurive dhe aftësive të mjaftueshme menaxhuese dhe organizative të drejtuesve që udhëheqin kompanitë, si shoqërore ashtu edhe private. Nga ana tjetër, ekonomistët vlerësojnë se ekzistojnë më shumë shkaqe të ngecjes kaq të madhe të produktivitetit të punëtorëve në Maqedoni në raport me kolegët e tyre në rajon dhe më gjerë. Ndër faktorët të rëndësishëm të produktivitetit të ulët të punëtorëve në Maqedoni janë edhe pagat e ulëta, që janë edhe dhjetë herë më të vogla se në BE e që demotivojnë punëtorët që më shumë të angazhohen në vendin e punës. Këtë e dëshmojnë edhe analizat e ndryshme sipas të cilave në vitin 2014 madje 45 për qind e të punësuarve në Maqedoni kanë marrë paga deri në 14 mijë denarë, që është larg mesatares prej 22 mijë denarëve dhe me të cilën shumë nuk mund të kënaqen as nevojat themelore për jetesë, përcjell KOHA. Faktor tjetër për produktivitetin e ulët është edhe mos-harmonizimi i shkathtësive dhe përgatitjes profesionale të nxënësve dhe studentëve që dalin nga sistemi arsimor dhe kërkesave të tregut modern të punës. Tek më të vjetrit problem është rezistenca ndaj risive dhe mësimit të vazhdueshëm.
Ekonomistët thonë se në praktikë ekziston edhe hendeku midis diturisë së fakultetit apo edhe të shkollës së mesme dhe nevojave në vendin e punës, duke marrë parasysh dobësinë e sistemit arsimor që të pajisë të diplomuarit me shkathtësitë e nevojshme praktike.
“Kemi ngecje të madhe lidhur me mësimin teorik që duhet më shumë të mbështetet me praktikë më të madhe. Thjesht, sistemi i jonë arsimor është i fokusuar në kualifikime që japin arsim formal, ndërsa nga ana tjetër harrohet se shkathtësitë e ndryshme janë ato që nevojiten në treg tani dhe në të ardhmen”, thotë profesoresha universitare Nikica Mojsoska-Bllazheska.
Nga ana tjetër, vlerësohet se edhe teknologjia e vjetër si dhe mungesa e trajnimeve të vazhdueshme të punëtorëve, gjithashtu ndikojnë në produktivitetin e ulët të punëtorëve në Maqedoni. Ekonomistët thonë se faji nuk mund të kërkohet vetëm tek punëtorët, por edhe tek organizimi i sistemit të punës dhe motivimi nga ana e punëdhënësve. Gjithashtu, kompanitë e Maqedonisë shumë pak janë të organizuara sipas parimeve të botës moderne dhe zhvillimit teknologjik. Në Maqedoni dhe shtetet e rajonit ekzistojnë mjaft humbje organizative dhe teknologjike që shtetet me teknologji më moderne dhe të sofistikuar si dhe me shprehi më të larta të punës, kanë arritur ti minimizojnë. Gjithashtu, edhe në Maqedoni ngjashëm me mjaft shtete nga ish-Jugosllavia, ekziston i ashtuquajturi punësim fiktiv ku shpesh papunësia zgjidhej duke punësuar pesë punëtorë në katër vende të punës, ndërkohë një punësim i tillë fiktiv është ruajtur në mjaft kompani në pronësi shtetërore. Mungon edhe shpërblimi i punëtorëve sipas produktivitetit. Vlerësohet se produktiviteti i ulët vjen edhe si pasojë e sistemit ekonomik, ku tregut të punës i mungon fleksibiliteti i nevojshëm dhe punëtorët e kanë shumë vështirë të kalojnë nga një vend pune në një tjetër, kurse tregu financiar është mjaft rigid dhe pak ofron kredi për bizneset, duke mos ndjekur sa duhet nevojat e kompanive për kapital të freskët, por as që ekzistojnë, apo ka shumë pak fonde dhe stimulime për investitorët në teknologji të reja. Njohësit e tregut të punës thonë se punëtorët nga Maqedonia dhe rajoni nuk janë aq “dembel”sa pretendohet, për shkak se në të kundërtën nuk do të ishin aq të mirëseardhur dhe të dalluar në shtetet perëndimore. Me fjalë të tjera në rezultatet e punës së sektorit si privat ashtu edhe shoqëror ndikojnë me të madhe edhe mungesa e njohurive dhe aftësive të mjaftueshme menaxhuese dhe organizative të drejtuesve që udhëheqin kompanitë si shoqërore ashtu edhe private. Ndryshe, ekonomistët thonë se ndër mënyrat më efektive që të përmirësohet produktiviteti i punëtorëve është edhe kënaqësia e të punësuarve në sektorin privat apo shtetëror që nuk varet vetëm nga niveli i pagës , por edhe nga fakti sa ato ndjehen komod në vendin e tyre të punës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.