“Kushdo që ende e vë në dyshim shpërndarjen e Kuvendit më 22 gusht dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, e bën këtë vetëm nga frika e humbjes që e pret në fund të këtij procesi. Për PDK-në nuk është e pranueshme asnjë alternative tjetër, përveç rikthimit të legjitimitetit përmes votës së qytetareve”, ka deklaruar Memli Krasniqi i PDK-së
Vetëm tri ditë na ndajnë nga seanca e ftuar për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, teksa shumica e partive politike të vendit janë deklaruar pro mbajtjes së zgjedhjeve. Mirëpo përfaqësues të subjekteve politike dhe analistë shprehen skeptikë se shpërndarja e Kuvendit do të ndodhë në këtë datë, për shkak se, sipas tyre, ndonjëra nga partitë mund të ndërrojë qëndrimin dhe potencialisht të kontribuojë në formimin e një qeverie të re teknike, shkruan gazeta “Zëri”.
Ndonëse si datë për mbajtjen e seancës për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës është caktuar 22 gushti (e enjte), përfaqësues të partive politike dhe njohës të çështjeve politike po shprehen pesimistë mbi atë se të gjitha partitë politike janë serioze për gatishmërinë e tyre për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme. Edhe pse deklarativisht të gjitha partitë, duke përfshirë edhe ato në pushtet, PDK-në, AAK-në, Nismën e AKR-në, kanë theksuar se janë pro formimit të një qeverie të re përmes votës së qytetarëve, partitë në opozitë (LDK-ja dhe LVV-ja) po vlerësojnë se një gjë e tillë mund të ndryshojë.
Përfaqësues të këtyre dy partive thonë se është PDK-ja ajo e cila në momentin e fundit mund t’i ndërrojë qëndrimet dhe potencialisht t’i kontribuojë formimit të një qeveri të re teknike. Duke i komentuar deklaratat e partive opozitare se PDK-ja mund ta ndërrojë qasjen sa u përket zgjedhjeve, shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Memli Krasniqi, për “Zërin” ka thënë se PDK-ja nuk ka asnjë alternativë tjetër, pos rilegjimitetit të qeverisë përmes zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Kushdo që ende e vë në dyshim shpërndarjen e Kuvendit më 22 gusht dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, e bën këtë vetëm nga frika e humbjes që e pret në fund të këtij procesi. Për PDK-në nuk është e pranueshme asnjë alternative tjetër, përveç rikthimit të legjitimitetit përmes votës së qytetareve”, ka deklaruar Krasniqi. Të njëjtën gjë e ka theksuar edhe kreu i PDK-së Kadri Veseli në një intervistë për “Zërin”, ku ka shtuar se 22 gushti është data kur Kuvendi i Kosovës do të shpërndahet. “Më 22 gusht është caktuar seanca për shpërndarje të Kuvendit dhe shumë shpejt do të caktohet data e zgjedhjeve të reja të parakohshme. PDK-ja do t’i fitojë këto zgjedhje. Nuk kam lejuar në asnjë mënyrë që unë dhe PDK-ja të bëhemi pjesë e ndonjë iniciative të re për ta arnuar vazhdimin e qeverisë, sepse besoj që institucioneve tona u duhet një legjitimitet i ri qytetar”, ka thënë Veseli.
Në anën tjetër njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se për shkak të interesave të ndryshme, mungesës së një alternative, por edhe ndikimit të bashkësisë ndërkombëtare, duke u deklaruar më të prerë rreth nevojës për mbajtjen e zgjedhjeve, shpërndarja e Kuvendit të Kosovës mund edhe të mos ndodhë më 22 gusht. Rrjedhimisht, sipas tyre, asnjëra nga subjektet politike në vend nuk është plotësisht e gatshme për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.