Shkup, 24 shtator – Kandidatët për kryetarë të komunave të Qytetit të Shkupit në zgjedhjet e ardhshme lokale të dielën në selinë e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) nënshkruan Kodin për zgjedhje korrekte dhe demokratike. Në mënyrë të sinkronizuar në lokalitete të ndryshme Kodin e nënshkruajtën edhe kandidatët për kryetarë të komunave në të gjitha komunat në Shkup dhe në mbarë vendin. Kodin e kanë nënshkruar kandidatët për kryetarë të komunave dhe të Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov nga LDSM, Koce Trajanovski nga VMRO-DPMNE, Gjorgi Todorov nga LPM, Nafije Selmani nga BESA, Vanço Shehtanski nga TMRO, Marija Jones nga E Majta dhe Naim Bajrami nga Aleanca për Shqiptarët, ndërsa kandidati i PDSH-së Bekim Fazliu këtë do ta bëjë në mënyrë plotësuese. Pjesëmarrësit në zgjedhje për kryetarë komunash dhe anëtarë të këshillave dhe Qytetit të Shkupit dhe të caktuara për më 15 tetor e kanë nënshkruar Kodin në bazë të nenit 8-v nga Kodi Zgjedhor. Me këtë Kod pjesëmarrësit në Zgjedhjet lokale obligohen dhe i premtojnë njëri-tjetrit, por edhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, se do t’u përmbahen dhe në mënyrë aktive do t’i respektojnë të gjitha ligjet, rregullat dhe do ta respektojnë sundimin e drejtësisë gjatë organizimit dhe zbatimit të zgjedhjeve. Ata në mënyrë të pahezituar obligohen se nuk do të kryejnë kurrfarë presioni ose përpjekje për presion mbi të punësuarit në administratën publike dhe shtetërore, në institucionet tjera, të financuara nga Buxheti i RM-së, buxhetet e komunave dhe të Qytetit të Shkupit, si dhe në shoqatat tregtare dhe ndërmarrjet me kapital shtetëror. Pjesëmarrësit në procesin zgjedhor, gjithashtu pa hezitim obligohen se asnjë i punësuar ose qytetar nuk do të jetë lëndë e çfarëdo qoftë kërcënimi lidhur me punësimin e tij dhe sigurinë sociale si rezultat i mbështetjes së tyre ose mosmbështetjes së çfarëdo partie politike ose kandidati. Kodin e kanë nënshkruar edhe të gjithë kandidatët tjerë për kryetar komune në zgjedhjet lokale të 15 tetorit.