Nëse pushtetin e ka nisur duke mos qenë fitues, vazhdimi i tutjeshëm i karrierës së tij u plotësua me fitoren e madhe në zgjedhjet lokale, duke e çuar Gruevskin në histori. Me këtë fitoi përkrahjen për frymën e re që prej tij e presin qytetarët, frymë shumë më ndryshe të ushtrimit të pushtetit nga pararendësi
Nga Daut Dauti
Tregojnë një anekdotë për djalin e Lubço Georgievskit, kur kishte qenë 3-4 vjeç, posa ishte zgjedhur i ati kryeministër. E kishin pyetur çka punon babai, ai ishte përgjigjur: “Branko Cërvenkovski”. Sepse babai i Lavit posa ishte bërë “Branko Cërvenkovski dhe ai si një i mitur kishte barazuar kryeministrin me personinqë e kishte ushtruar atë post.. Kanë kaluar dy dekada nga kjo anekdotë, sepse sot një fytyrë krejtësisht tjetër, Zoran Zaevi, është bërë “Branko”(e trashëgoi si kryetar partie), edhe “Gruevski”(e trashëgoi si kryeministër), dy poste kyç në shtet që shumëkush mund t’i ëndërrojë. Në këto rrethana, tash është krye rivali i tij, Hristijan Mickovski, ai që ëndërron të bëhet “Zaev” …
Në botën demokratike me traditë, motivi për të ardhur në pushtet është më ndryshe nga perceptimi në vendet në tranzicion. Atje një Donald Tramp, ose kushdoqoftë, vjen në pushtet si njeri i suksesit, sa për të bërë nam, aq edhe për t’i ndihmuar shoqërisë. Në vendet si Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Rumania, Bullgaria…, që kishin dalë nga komunizmi, politikës i rreken idealistë që mendojnë se do ta ndryshojnë botë, por dhe profiterë, të cilët i lyhen arkës së shtetit dhe duke u bërë biznesmenë të mëdhenj brenda nate…Shikuar nga ky këndvështrim, ardhja e Zaevit në pushtet duhej të ishte me analogjinë e sipërme të Dobald Trampit, e jo të vendeve në tranzicion. Ai në politikë u kyç si një biznesmen i suksesshëm, duke u bërë një nga figurat më të suksesshme “alternative” të LSDM-së (alternative, ngase vite me radhë ai nuk ishte në udhëheqësinë e ngushtë të LSDM-së) . Madje edhe në vitet e inferioritet më të madh të LSDMS-së kundrejt të VMRO-së së Gruevskit, Zaevi krijoi bastionin e papushtueshëm të Strumicës si kryetar komune. Pra, krahas biznesit, i suksesshëm edhe në politikë. Në këtë mënyrë, me aureolën e një të suksesshmi, anise “provincialist”, do të gjendej nga ish-lideri partiak për ta futur në zjarr kundër të pamposhturit Gruevski, që ta rimëkëmbë partinë dhe ta kthejë në pushtet…Së pari, në vitin 2008, si “kryetar i përkohshëm” i LSDM-së, një vit ia ruajti vendin e liderit partiak Cërvenkovskit gjera ky të jetë në funksionin e kryetarit të shtetit dhe së dyti, përfundimisht, pasi “lideri historik” tërhiqet si fajtor kryesor për dështimet dhe kështu Zaevi bëhet kryetar i LSDM-së më 2013-tën.
Të ngjitesh në majat e politikës gjatë këtyre viteve turbulente nuk qe e lehtë për të. Por tash kur është në maje, mund të fryjnë shumë erëra të forta nga shumë anë, që nuk e bëjnë të lehtë qëndrimin e tij. Në planin e platformës, si çdo politikan dhe subjekt, s’kishte çka të ofrojë të re, përveç gjërave që tashmë mund të ofrohen të përpunuara nga shtabet partiake, me finesa nga njëri te tjetri subjekt. Pra, ofroi PREMTIME, jo aq më kreative se sa konkurrenca tjetër. Por, kush lexon programe dhe shkon pas tyre? Pas disfatës së zgjedhjeve të vitit 2013, të cilat ai i shpalli si të falsifikuara dhe në këtë mënyrë shpëtoi veten nga dorëheqja për ta zgjatur një periudhë paqartësie, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, kaloi shumë më mirë. Por jo për shkak të platformës zgjedhore, por falë strategjisë e cila dallonte shumë nga ajo e VMRO-së. Së pari, krijoi një terren për zhveshjen e pushtetit të VMRO-së nga imazhi i ndershmërisë, duke ia zbuluar një serë aferash korruptive përmes “bombave”(incizimeve nga përgjimet e paligjshme) dhe e dyta, gjeti “filing” për t’iu afruar votuesve shqiptarë me premtime për më shumë të drejta dhe për zbulim të disa proceseve të dyshimta gjyqësore. Dobësimi i imazhit të VMRO-së, doemos do ta ulte përkrahjen kurse shtimi i votuesve nga tabori shqiptar do t’ia kompensonte votat që i mungonin në taborin maqedonas.
Sigurisht se as vetë Zaevi nuk ka qenë i vetëdijshëm se vërtet një ditë do të bëhet “Gruevski” në çastin kur u tërhoq Branko Cërvenkovski nga politika. Ai në krye të qeverisë, nuk erdhi me aureolën e fituesit, sepse kjo i shpëtoi nga dora për 20-30 mijë vota, të mjaftueshme për “edhe një fitore” të Gruevskit. Por rezultati ishte mbi pritjet, duke ditur humbjet me radhë të partisë së tij dhe “faktori shqiptar” u tregua kyç në inaugurimin e tij. Atje ku dështoi VMRO-ja, nis fitorja e tij: te humbja e përkrahjes ndërkombëtare për shkak të politikave obstruktive. Ai faktor do t’ia vulosë fatin Gruevskit, duke ia marrë faktorin shqiptar(këtu do ta shkelin parimin e fituesit me fituesin në dy taboret etnike). Në këtë mënyrë, Zaevi e rrëmbeu shansin, por u desh të ballafaqohet me PREMTIMET dhe këtu dallon dukshëm nga Gruevski. Nuk do të hezitojë që qysh në fillim të mandatit ta vë në tavolinë negocimi pikërisht çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe dhe disa pikave të tjera të Deklaratës së partive shqiptare(në opinion e njohur si “Platforma e Tiranës”). Zgjerimi i përdorimit të gjuhës shqipe, që tash po has në pengesa te kryetari i shtetit, ka një kualitet: atë e kanë votuar të gjitha partitë shqiptare. Hap të madh qeverisja e re bëri edhe me rastin “Monstra”, duke i lënë të mbrohen në liri të dyshuarit, me gjasa të mira që të zbulohet e vërteta. Por që nuk është lehtë të realizosh premtimet dhe se nuk mund të shkojë gjithçka si më mirë, tregoi gjykimi për vrasjes së Almirit të mitur, kur pikërisht gjyqësia e “reformuar” i dha një dimension problematik, duke liruar vrasësin që të gjykohet për aksident trafiku!!! Për ta sqaruar këtë rast, në një intervistë të fundit te Nazim Rashidi(TV Alsat), Zaevi u desh të shpjegohet më shumë se dhjetë minuta…Por ky rast flet se sa janë të vështira sprovat pasi ta kesh marrë pushtetin. Sprova më e madhe, ajo që dukej e pakapërcyeshme, kontesti me Greqinë për emrin, Zaevi e tejkaloi, të paktën deri tash, me shumë sukses. Me negociata me takt, diçka prapa perde, diçka publikisht, dhe me kolegun grek, Cipras, përgatitën terrenin e kompromisit. Jehona e kësaj marrëveshjeje, me datën e negociatave me BE-në, në vitin 2019(prolongim i papritur nga BE-ja për një vit) dhe premtimet edhe nga NATO, e bëjnë Zaevin faktorin më pozitiv sa u përket integrimeve euro-atlantike. Mirëpo, marrëveshja që u nënshkrua para pak javësh, nuk është një formulë Sezami që ia hap vetvetiu portën e Evropës dhe atë të NATO-s, sepse puna më e vështirë vjen më pas, ajo duhet të jetësohet. Obtruksioni që ia bën Gjorge Ivanovi ratifikimit të marrëveshjes edhe mund të tejkalohet në pritje të kalimit të mandatit të tij, por pengesa kryesore mbetet si të binden qytetarët maqedonas se se vendi i tyre nuk ka dalë humbës nga kjo marrëveshje? Edhe nga marrëveshja e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë pati shumë debate në këtë vijë, por ajo nuk ka nevojë të shkojë në referendum. Vite me radhë politika dhe qarqe të caktuara akademike ishin përpjekur të ndërtojnë një identitet të ri që fillet i kërkojnë në antikën e largët. Si të binden ata që janë kapur në këtë grep se nuk është cenuar identiteti, kur ata identitetin e kërkojnë në lashtësi? Edhe një herë mund të shpresojë se shqiptarët do ta nxjerrin nga balta, por me kusht që të paktën votuesit e LSDM-së në tërësi të rreshtohen pas tij, gjë që nuk është fort e sigurt, anise vetë Zaevi që tash thotë se ai do të jetë i suksesshëm. Një rrethanë lehtësuese është fakti që paksa janë amortizuar mediat që deri dje ishin me qeverinë e VMRO-së.
Mirëpo, edhe sikur të ishte i suksesshëm ai referendum, do të mbyllë vetëm një kapitull të çështjeve të rënda politike. Të mos harrojmë se platforma PËR JETË NË MAQEDONI , me të cilën erdhi në pushtet, nënkupton shumë më shumë. Nënkupton zhvillim, rritje prodhimtarie, shtim rrogash, hapje vende pune (jo vetëm në administratë) rritje standardi, ulje çmimesh të shërbimeve…Në shikim të parë duket se me disa veprime Zaevi u përmbahet premtimeve: hoqi taksën e radiotelevizionit (por shtoi akcizën për naftën), ktheu tarifën e lirë të rrymës elektrike, ngriti pagat minimale. Së fundi paralajmëroi edhe heqjen e participimit për shërim spitalor. Ky sigurisht është një lajm i mirë për qytetarët, por si do të gjenden nga arka shtetërore mbi 7 milionë euro për të mbuluar mungesën? A kanë dhënë masat ekonomike shenja se arka do të mbushet nga ekonomia e vendit, apo do të kompenzohen me kredi të reja? Të jesh kryeministër Zaev në këtë fushë, duket gjë më e natyrshme, sepse vjen nga biznesi, me çka më së miri duhet t’i kuptojë nevojat por dhe masat. Por, çfarëdo që të ndërmerret, efektet nuk mund të vijnë menjëherë(bile, në këtë vit qeverisje parametrat ekonomikë janë negativë). Të jesh Zaev, do të thotë të realizosh premtimet tua, por dhe të pastrosh “mbeturinat” e të gjithë pararendësve(madje edhe të akuzohesh edhe për bëmat e të tjerëve). Gjithnjë e më të forta janë akuzat edhe për procesin e emigrimit, sikur ikja e njerëzve për shanse pune jashtë vendit të ketë lindur pikërisht në vitin e parë të kësaj qeveria, që nuk është e vërtetë. Poashtu nuk është lehtë të menaxhosh edhe lëndët për të cilat akuzohen ish-pjesëtarë të qeverisjes së kaluar, premtimi për kthimin e parave si përfitim nga aferat korruptive, etj., si dhe të mbrohesh edhe nga akuzat e opozitës për gjëra të ngjashme(gjithnjë e më shpesh Mickovski ia përmend vëllain Vice Zaev si dikur Mijallkovin Gruevskit).
Pra, pushteti të jep shanset për të bërë punë të mëdha, por dhe është një gropë e hapur gjithnjë, ku mund të biesh shumë lehtë. Zaevi është në rrethana ku ecën jo si mbi ndonjë gropë, por mbi humnerë, ku mund të gjendet nga një pakujdesi më e vogël. Ai nuk e ka përkrahjen absolute mediale për gjithçka(është pozitiv ky trend, sepse flet për liri më të madhe të shtypit). Ai nuk e ka komoditetin që ka pasur Gruevski me shumicë absolute(me mbi dy të tretat), edhe pse sadopak e shtoi shumicën e vet parlamentare. Në atë shumicë e ka përfshirë edhe Amdi Bajramin, i cili deri dje i këndonte në dasmë Gruevskit “Zašto su ti druže pobelele kose?”(“Pse jaran të janë thinjur flokët”)! Flokët e thinjura janë një simbolikë më tepër për atë që e pret Zaevin, i cili mbi shpinë ka shumë premtime e nevoja të qytetarëve dhe mundësitë shumë më të vogla, për shkak të cilave mund të “plaket” para kohe… Pra, të jesh Zaev nuk është aq idilike sa duket. Nga këndvështrimi estetik, është me flokë të zeza. Njësoj i kishte të zeza flokët edhe Gruevski para se të bëhej kryeministër dhe sot është në një moshë kur jo domosdo duhet t’i kesh flokët e bardha, por ai tashmë është thinjur nga dhjetë vjetët e jetës dinamike e stresuese të kryeministrit.
Me një fjalë, të jesh Zaev, domosdo duhet të jesh politikan i guximshëm, pragmatik dhe ngapak edhe vizionar dhe ëndërrues përtej asaj që e bëjnë të tjerët, por dhe një udhëtar me shumë bashkudhëtarë të dyshimtë rreth vetes, kur nuk e di kur mund të të lënë në rrugë, siç bënë disa nga tabori i vet(Ferid Muhiq) me mospërkrahjen e marrëveshjes për emrin, ose siç mund të jenë partnerët e koalicionit, që sikush ngre kah vetja. Nëse pushtetin e ka nisur duke mos qenë fitues, vazhdimi i tutjeshëm i karrierës së tij u plotësua me fitoren e madhe në zgjedhjet lokale, duke e çuar Gruevskin në histori. Me këtë fitoi përkrahjen për frymën e re që prej tij e presin qytetarët, frymë shumë më ndryshe të ushtrimit të pushtetit nga pararendësi.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)