Ekspertët dhe një pjesë e partive politike në vend janë të mendimit se deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nuk ka kohë për ndryshim të modelit zgjedhor, por se mund të bëhet nivelizimi i gjashtë njësive ekzistuese zgjedhore. Vetëm njësia e gjashtë zgjedhore, e cila dominohet nga shqiptarët – ka mbi 5 për qind më shumë votues nga njësitë tjera
Destan JONUZI
Shkup, 30 tetor – Nivelizimi i gjashtë njësive ekzistuese zgjedhore është obligim ligjor, ndërsa përveç kësaj, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, partitë politike kanë kohë që të bien dakord edhe për Lista të hapura në njësitë e tanishme, thotë për KOHA, ish-kreu i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), Subhi Jakupi. Sipas tij, ndryshimi i modelit zgjedhor gjashtë muaj para mbajtjes së zgjedhjeve nuk është i preferuar. “Nivelizimi i njësive zgjedhore është obligim ligjor, i cili duhet patjetër të implementohet, detyrimisht duhet që numri i votuesve nëpër gjashtë njësitë ekzistuese zgjedhore të balancohet, për arsye se nëse nuk nivelizohen paraqet shkelje ligjore. Kjo patjetër duhet të bëhet deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të prillit të 2020-ës. Në vitin 2016, ka pasur shkelje në këtë drejtim, pasi që Njësia zgjedhore numër 6 ka pasur mbi 5 për qind më shumë votues, dhe nëse kontestoheshin zgjedhjet atëherë, i tërë procesi zgjedhor mundeshe të anulohet”, deklaroi për KOHA, Jakupi.
Ai thotë se deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nuk ka shumë kohë për t’iu qasur më rrënjësisht ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, duke i përfshirë të gjitha vërejtjet dhe rekomandimet e OSBE-ODHIR-it. “Për ndryshimin e modelit zgjedhor duhet të ketë një konsensus të gjerë të spektrit politik. Gjashtë muaj para se të mbahen zgjedhjet nuk është e preferuar të bëhen ndryshime rrënjësore në Kodin Zgjedhor. Megjithatë, ekziston mundësia që në zgjedhjet e 2020-ës të implementohet votimi me lista të hapura, mirëpo me njësitë ekzistuese, kuptohet të nivelizuara”, theksoi Jakupi. Partitë politike shqiptare të gjitha e kanë ngritur si çështje nivelizimin e njësive zgjedhore, për arsye se më të dëmtuarit kanë qenë ato, për shkak të tepricës së votuesve nëpër njësitë zgjedhore, ndërkohë që numri i deputetëve është i njëjtë sikurse në njësitë me më pak votues e që dominohen nga maqedonasit. Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) thonë se ato janë për gjashtë njësi zgjedhore dhe janë që sa më parë të bëhet nivelizimi i tyre. Ndërsa sa i përket listave të hapura dhe ndryshimit të modelit zgjedhor, vlerësojnë se deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, nuk ka kohë që të bëhen ndryshime drastike në Kodin Zgjedhor.
Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët (ASH) thotë se janë të interesuar që Kodi Zgjedhor të ndryshohet në mënyrë rrënjësore. “Ne mbajmë qëndrimin se zgjedhja ma e mirë dhe më reale që përkon edhe me realitetin demografik të përfaqësimit, është ajo me 8 njësi zgjedhore, dhe me sistem zgjedhor me lista të hapura në suaza të kësaj, shpresojmë të bëhet edhe harmonizimi i numrit të votuesve me njësitë zgjedhore. Është e rëndësishme se për sa njësi zgjedhore do të përcaktohemi, dhe më pas kjo imponon edhe balancimin e njësive zgjedhore, me numrin e votuesve me përqindje përkatëse”, deklaroi për KOHA, Flakron Bexheti, zëdhënës i ASH-së. Nga kjo parti potencojnë se shpeshherë është bërë padrejtësi ndaj njësive zgjedhore ku shqiptarët përbëjnë shumicën, siç është rasti mes njësisë 4 dhe 6, e cila e ka tejkaluar kornizën ligjore +5% -5%, ku në bazë të kësaj mund të vlerësohet se zgjedhjet e 2016 ishin të paligjshme. “Ne kemi vullnetin dhe kapacitetet për t’iu qas këtyre ndryshimeve rrënjësore përfshirë edhe rekomandimet e OSBE-ODHIR”, nënvizoi Bexheti. Ndërkaq, nga Lëvizja BESA theksojnë se Kodi Zgjedhor obligon korrigjimin e njësive zgjedhore në kornizat e plus-minus 5% dhe kjo nuk është çështje dëshirash, por është obligim ligjor që duhet të respektohet edhe atë detyrimisht para shpalljes zyrtare të datës së zgjedhjeve. “Kur do të jenë në rend dite ndryshimet në Kodin Zgjedhor, do të rregullohet edhe kjo çështje, edhe pse ne insistojmë në ndryshimin e modelit zgjedhor dhe vendosjen e opsionit për listat e hapura preferenciale”, deklaroi për KOHA, Elmedin Memishi, zëdhënës i Lëvizjes BESA.
Ndërkohë, dy partitë e mëdha maqedonase – LSDM dhe VMRO-DPMNE, kanë mendime të kundërta sa i përket këtyre çështjeve. LSDM-ja është për ndryshimin e modelit zgjedhor me një njësi zgjedhore dhe lista të hapura, ndërsa VMRO-DPMNE vlerëson se nuk ka kohë të ndryshohet modeli zgjedhor deri në mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por është pro nivelizimit të gjashtë njësive ekzistuese zgjedhore. “Deri në formimin e Qeverisë teknike ka kohë të bëhen edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Të gjithë jemi dakorduar që rekomandimet e OSBE-ODHIR-it duhet të inkorporohen në Kodin Zgjedhor”, ka theksuar kryeministri Zoran Zaev, pas takimit të liderëve te presidenti Pendarovski. “Nivelizimi minus-plus 5 për qind i kufijve të njësive zgjedhore është çështje normale dhe nuk shoh asnjë arsye që kjo mos të bëhet. Po ashtu, një pjesë e rekomandimeve të OSBE-ODHIR-it do të inkorporohen në Kodin Zgjedhor. Por nëse me pyetni për model të ri zgjedhor, nuk jam optimist se kjo mund të ndodh për këto zgjedhje, por në të ardhmen mund edhe të ndryshojë”, pati deklaruar Hristijan Mickoski, lider i VMRO-DPMNE-së, pas takimit të liderëve të Pendarovski. Ndryshe, partitë politike parlamentare në vend me 20 tetor në një takim në vilën presidenciale u dakorduan që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 12 prill të vitit 2020. Ndërsa, sipas Ligjit për Qeverinë, 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, vendin do ta udhëheq qeveria teknike, me përfshirje edhe të opozitës.