Viktimizimi i popujve të vegjël bëhet kur ato në mënyrë perfide ndjekin kursin e kozmopolitanizmit të shteteve globale dhe kur dogmatikisht ndjekin ëndrrën e popujve për vetëvendosje. Të luash midis këtyre dyjave është mjeshtri e madhe por edhe e rrezikshme. Sot strukturat e fuqisë vendosin për strukturat e dijes. Të mëdhenjtë vendosin për të vegjlit
Nga Latif MUSTAFA
Kostoja e të qenit identik është kaq e shtrenjtë saqë dorëzimi ndaj çdo kompromisi të shkakton një vetëpërbuzje sfilitëse. Çfarë do të thotë të jesh identik? Të jesh identik do të të thotë të jesh autentik. Të jesh autentik do të thotë të jesh origjinal, spiralja e qenësisë sate është zhvilluar historikisht, e mbindërtuar me fakte në një mënyrë krejt origjinale dhe të papërsëritshme pavarësisht interpretimeve dhe tendencave të plastelinizimit si burim i një imagjinate të pashteruar konjunkturale dhe historike. Identiteti ka të bëjë me të ngjashmen, bazuar në etimologjinë e kësaj fjale, e cila buron nga gjuha latine idem – i ngjashëm. Autenticiteti, bazuar në etimologjinë e kësaj fjale e cila buron nga greqishtja e vjetër, authenthicos – do të thotë të jesh i barabartë veç me veten; është identik veç me veten e tij. Identiteti është autenticitet, origjinalitet.
Trafiku i diplomacisë politike këto ditë ka qenë i ngjeshur në lidhje me propozimin e presidencës Franceze, tërheqjen e vetos bullgare, shqyrtimin dhe pranimin e saj nga autoritetet institucionale dhe politike të Maqedonisë së Veriut për të bërë, siç thonë këto autoritete, hapin apo kapërcimin historik në lidhje me hapjen e bisedimeve me BE-në. E gjithë kjo, ka vë në maje të gjuhës pyetjen qenësore për etninë maqedonase: kush jemi ne? Në anën tjetër, kjo pyetje ka shtruar dilemën: Ne maqedonasit, a jemi rrjedhojë e një populli tjetër që nuk po arrijmë të bëjmë diferencën, apo ne jemi krejtësisht autentik? Këto pyetje, dhe dilema janë të kahershme, që kur Kisha Ruse vendosi të krijojë kishat nacionale duke i shndërruar ato në shtylla të kombformimit të shteteve sllave në Ballkan. Më të vonuarit, në këtë proces për mëse dy shekuj, janë maqedonasit apo sllavët që kanë populluar gjeografinë e Maqedonisë së Aleksandrit, gjeografi kjo po ashtu e kontestuar.
Është një tregim historik që secili nga ne, në një formë apo tjetër, e din dhe ka versionin e tij të zhvillimeve të këtij tregimi. Por sot, fatkeqësisht, historia nuk është armë e legjitimitetit politik. Historia në interpretimin politik është vizion për të ardhmen. Vizioni për shtrirjen e ëndrrës sate në ardhmëri dhe varësisht nga kjo ëndërr ndërtohet edhe narracionin për të shkuarën. Në këtë rrugëtim, popujt e vegjël, mund të bëhen vetëm se vagonë të popujve dhe shteteve të mëdha, përreth atyre që është rrotulluar historia dhe brenda kufijve të të cilëve ka megapolise që dikur ishin qendra qytetërimore. Sot kemi një narracione paralele të etabluara në skenën ndërkombëtare, siç është ai i neosmanizmit përmes të cilit Turqia dëshiron që t’i bashkojë shtetet turkike, që ishin dikur pjesë e BRSS-së, në një formacion të përbashkët politiko ushtarak duke i bashkuar kësaj edhe hinterlandin e shteteve Ballkanike, si dhe ndikim të butë në shtetet synite arabe. Këto ditë princi i Arabisë Saudite ka proklamuar se vizioni i Arabisë Saudite për ndryshimet e saja do të shkaktojnë një efekt domino në shtetet e gjirit përfshi, Irakun dhe Sirinë në krijimin e një rripi të fuqishëm synit si oponencë ndaj Iranit shiit. Për mos të cekur më politikat ekspansioniste të Rusisë që sot ndodhet në luftë me Ukrainën dhe ka pushtuar pjesën lindore. Njashtu duhet përmendur edhe ndryshimin e kursit dymijë vjeçar të një Kine e cila ruante kufijtë e vet, drejt një Kine me vizionit Kine me vizion ekspansionist global.
Vetënjohja dhe përcaktimi autentik i vetes sot është rreshtimi historik në pellgun qytetërimor të së ardhmes. Sado që qytetërimi perëndimor, në periudha të caktuara historike ka shpërfaqur heterogjenitet të theksuar, megjithatë në betejën e heshtur dhe luftën e ftohtë me qytetërimet dhe shtetet që mbartin flamurin e qytetërimeve të tjera ka qenë linear dhe trajektoral. Në këtë trajektore prijnë SHBA-të qoftë si qendër e fuqisë, qoftë si qendër e shkencës dhe epistemologjisë. Në Maqedoninë e Veriut, populli dhe elita politike maqedonase janë të përçarë sa i përket autenticitetit të saj dhe rreshtimin e vazhdueshëm historik me perëndimin. Partitë në pushtet, të cilat kanë pranuar propozimin francez, tashmë ndjekin agjendën e sforcuar të kombit politik të maqedono veriorëve e cila për më tepër se një komb i ndërtuar mbi vlera kulturore po shndërrohet në një qytetari plastike, përmes një socialdemokracie të gjerë ka mishëruar vlerat neoliberale, vlera këto që nxisin tregun e lirë, liberalizmin si frymë dhe formacionin supranacional si vlerë qenësore politike. Kjo frymë dhe ky formacion politik i kombit i ka kushtuar qytetarëve fort shtrenjtë sepse kanë paguar çmimin më të ashpër që për hir të siglës apo sloganit “NATO dhe BE” ka mbajtur në pushtet një shtresë kleptokratike. Në anën tjetër, e kemi partinë opozitare maqedonase VMRO-në, po ashtu pjesë e kësaj kleptorkacie, e cila po përpiqet që qoftë edhe përmes një “fitoreje të Pirros”, të ruajë autenticitetin e saj kulturor dhe politik duke refuzuar kategorikisht propozimin francez.
Në tërë këtë luftë globale rreshtimi është i domosdoshëm. Kombi shqiptarë dhe elitat politike në shtetet shqiptare, hiq ca tendenca të zbehta dhe shkurtëpamëse për shmangie nga kursi, ato vazhdojnë të ndjekin agjendën e tyre në përkrahje dhe rreshtim në krah me qytetërimin perëndimor. Autenticiteti dhe përpjekjet për identitetin autentik të maqedonasve kanë një kosto shumë të lartë. Kjo kosto vazhdon e rritet dhe bëhet dërrmuese në një vend ku “krenaria” e vetme kombëtare vazhdon të mbetet nepotizmi dhe korrupsioni. Në një epokë historike ku strukturat e fuqisë dhe vendimmarrjeve globale vendosin për të vërtetën e të vegjëlve; në një epokë historike kur lëvizjet demografike janë kaq të mëdha dhe identitetet kulturore janë kaq fluide; këmbëngulja në një narracion partikular historik dhe imagjinar është po thuaj se vetëvrasje kolektive. Viktimizimi i popujve të vegjël bëhet kur ato në mënyrë perfide ndjekin kursin e kozmopolitanizmit të shteteve globale dhe kur dogmatikisht ndjekin ëndrrën e popujve për vetëvendosje. Të luash midis këtyre dyjave është mjeshtri e madhe por edhe e rrezikshme. Sot strukturat e fuqisë vendosin për strukturat e dijes. Të mëdhenjtë vendosin për të vegjlit. Por e drejta dhe fryma dhe vullneti për vetëvendosje, megjithatë, duhet të ekzistojë, por megjithë kujdesin e ndonjë eklipsimi të një krenarie të tepruar vetëvrasëse; duke ndjekur universalitetin si konsensus politik dhe përbri një etike globale duke marrë mbi supe edhe përgjegjësitë që rrjedhin nga ky ethos në rreshtimin tonë në krah me qytetërimin perëndimor.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)