Bujar KURTAJ
Shkup, 6 dhjetor – Skuadra e Shkëndijës po e luan bindshëm gjysmësezonin e saj më të mirë në historinë e klubit. Me vetëm dy disfata, kuqezinjtë fituan titullin e kampionit vjeshtor duke synuar titullin e dytë pas asaj në vitin 2010/2011. Të kënaqur për këtë sukses nuk janë vetëm futbollistët, kryesia, “Ballistët” dhe dashamirët e KF Shkëndija, por edhe trajneri Qatip Osmani. Osmani për gazetën KOHA, shprehet se gjatë këtij gjysmësezoni ka pasur edhe rënie, por sipas tij ato janë normale.
“Sigurisht që jam i kënaqur dhe duhet të jem i kënaqur me rrjedhën e sezonit vjeshtor. Jemi në vend të parë me rekord pikësh, rekord golash dhe gjithë parametrat tjerë që na bëjnë skuadra dominuese e këtij gjysmësezoni. Normal kemi pasur edhe rënie, por janë gjëra normale në futboll dhe me rëndësi është se kemi ditur të menaxhojmë këto situate për tu ringritur në nivelin e duhur që na solli të jemi këtu ku gjendemi tani”, shprehet Osmani.
Përkundër 14 pikëve më shumë nga konkurrenti i saj më serioz për titull, por që ata kanë dy ndeshje më pak, “Qato” se kjo epërsi nuk është e mjaftueshme nëse ai dhe lojtarët nuk janë të aftë të vazhdojnë me ritmin e njëjtë.
“Asnjëherë nuk është e mjaftueshme nëse nuk je i aftë për të vazhduar me ritmin e njëjtë ashtu si ke arritur të krijosh atë epërsi. Ne kemi tentuar mos shikojmë çka bëjnë tjerët, por vetëm të bëjmë detyrën tonë. Normal kur rivali gabon, distanca rritet dhe presioni kalon të kundërshtari. Por ne nuk preokupohemi me këto gjëra, e dimë çka duam dhe jemi të bindur për të vazhduar të punojmë me përkushtim maksimal për të realizuar objektivat tona”, shtoi më tej trajneri Osmani.
Në pyetjen se a planifikon që në afatin kalimtar të janarit ekipi të freskohet me ndonjë lojtar të ri, ose eventualisht të lirojë nga angazhimi ndonjë lojtar që nuk llogarit për sezonin pranveror, Osmani tha se KF Shkëndija gjithmonë ka qenë tërheqëse për mediat dhe opinionin kur vjen koha e afatit kalimtar për transferim të futbollistëve, por sipas tij deri më tani asgjë nuk zyrtare.
“Shkëndija gjithmonë është tërheqëse për mediat dhe opinionin kur vjen koha e afatit kalimtar për transferim të futbollistëve dhe ne çdo ditë lexojmë dhe dëgjojmë gjithçka. Por, në këtë moment nuk ka asgjë zyrtare. Këto ditë kemi një kamp stërvitor ku testohen disa futbollistë, në të njëjtën kohë përgatisim analizë të gjysmësezonit të sapo-përfunduar dhe në konsultim me stafin teknik dhe kryesinë do të vendosim për ndryshimet eventuale, qoftë largime apo afrime të futbollistëve. Normal këto lidhen me njëra tjetrën dhe varësisht ku mund të ketë ndonjë largim, do të hapet nevoja për afrim të ri, që për ne do të jetë me rëndësi të bëhet fjalë për kualitet shtesë që do të rrisë nivelin e skuadrës”, tha Osmani.
Në fund, trajneri Osmani zbuloi se deri kur do të jenë në pushim lojtarët si dhe foli për plan-programin rreth përgatitjeve dimërore.
“Po ne kemi plan-programin tonë të hartuar prej më parë dhe dimë pjesën më të madhe të asaj që mendojmë të realizojmë. Lojtarët janë lënë të lirë deri më 3 janar të vitit të ardhshëm, por ky nuk do të jetë pushim klasik për ta, pasi me vete u është dhënë program punë që duhet ta respektojnë gjatë kësaj periudhe. Shkëndija vite me radhë ka krijuar një standard të punës dhe e njëjta do të vazhdojë edhe këtë vit. Do të ketë testime ditët e para të janarit, ndërsa pastaj varësisht prej kushteve atmosferike do të vendoset për fazën e parë përgatitore. Fazën e dytë dhe kryesore si vitet e kaluara edhe tani do ta realizojmë në Antalia të Turqisë”, përfundoi trajneri i KF Shkëndija, Qatip Osmani.