Të sjellurit e deputetëve që ishin pozitiv me Covid-19 me skafandër për të votuar ishte lëvizje strategjike për të rikonfirmuar (me forcë) se shumica e ka pushtetin dhe është në kontroll të plotë të Qeverisë. Po ashtu, kjo i shërben që t’ia heq mundësinë opozitës për të marrë meritat e sjelljes së kësaj pakoje ndihmash pas 3 muajsh bllokimi të punës së Kuvendit
Nga Sefer SELIMI Jr.
Skenat e turpshme që i pamë të dielën e 18 prillit në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut ishte akti final i një shfaqe teatrale politike që e mbanë peng opinion dhe qytetarët për më shumë se 3 muaj. Sjellja e papërgjegjshme e të gjitha partive politike parlamentare është reflektim i mentalitetit makiavelist që shkel me dy këmbë mbi gjithçka për të arritur qëllimet partiake. E gjithë kjo shfaqje kulmoi me votimin e masave për mbështetje ekonomike për qytetarët dhe bizneset e prekura nga pandemia e Kovid-19. Në mjegullnajën e akuzave dhe kundër akuzave, bllokimeve e kompromiseve, fajtorëve e shpëtimtarëve në thelb nuk ka asgjë tjetër përpos luftës së ulët mes PR-it të partive politike duke përdhunuar inteligjencën e qytetarëve. Për t’i thjeshtëzuar gjërat, çka deshën të arrijnë partitë politike me aktet e tyre:
LSDM udhëheq një shumicë të brishtë prej 62 deputetësh që herë pas here vendoset në pikëpyetje nga lufta brenda sojit. Tronditjet nga skandalet e fundit me pasaportat, policët trafikant të drogës, akuzat për korrupsion të ish Sekretarit gjeneral të Qeverisë e të tjera luhatin besueshmërinë në aftësinë për të qeverisur dhe për ta përfunduar këtë mandat qeverisës. Nën presionin e obstruksioneve nga opozita, shumica e brishtë zvogëlohet herë pas here edhe nga deputetët që detyrohen të vetëizolohen për shkak të infektimit ose kontaktit të afërt me persona të infektuar. Kjo prodhoi një situatë me më shumë se 30 mbledhje të Kuvendit të nisura dhe vetëm dy të përfunduara. Të sjellurit e deputetëve që ishin pozitiv me Covid-19 me skafandër për të votuar ishte lëvizje strategjike për të rikonfirmuar (me forcë) se shumica e ka pushtetin dhe është në kontroll të plotë të Qeverisë. Po ashtu, kjo i shërben që t’ia heq mundësinë opozitës për të marrë meritat e sjelljes së kësaj pakoje ndihmash pas 3 muajsh bllokimi të punës së Kuvendit.
VMRO-DPMNE vazhdon të jetë plotësisht desktruktive në raport me shtetin dhe interesat e qytetarëve. Në një lojë të mirëkalkuluar (ose të dakorduar) ajo e bllokoi me mijëra amendamente ligjin që e propozoi opozita shqiptare për shtetësinë, e kjo prodhoi reaksionin e kësaj të dytës për të bllokuar çdo ligj tjetër po ashtu me mijëra amendamente, gjë që e paralizoi punën e Kuvendit. Me taktizimet e tyre fillimisht bllokuan ndryshimin e rregullores së Kuvendit që do t’iu mundësonte deputetëve në vetëizolim të merrnin pjesë në punët e Kuvendit online, që pastaj të pamundësonin sjelljen e ligjeve për mungesë të kuorumit. Në seancën e fundit, në mënyrë tinzare u munduan të shfajësohen para qytetarëve dhe të sillen si shpëtimtarë për të votuar pakon e ndihmës ekonomike. Kur dështuan të marrin meritat për të, u turrën të nxjerrin fytyrën e vërtetë duke e shfajësuar aktin terrorist të 27 Prillit 2017 përmes krahasimit me seancën e Kuvendit ku u votua për ndihmë ekonomike. Pa u reformuar vërtetë VMRO-DPMNE-ja, Maqedonia e Veriut asnjëherë nuk do të reformohet.
BDI – gjatë gjithë kësaj kohe ka taktizuar duke u munduar të rrijë jashtë debatit dhe syrit të opinionit publik, nën hijen e LSDM-së, kryeministrit Zoran Zaev dhe duke ia lënë rolin e protagonistit Kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferit. Nën presionin e opozitës shqiptare që arriti ta ngrejë në kauzë politike problemin e ligjit të shtetësisë, strategjia e saj kryesore dhe e vetme ka qenë minimizimi i suksesit eventual të opozitës shqiptare. Edhe miratimi i pakos së ndihmës ekonomike do të vendoset në funksion të kësaj strategjie.
ASH-AAA veproi gjatë gjithë kësaj kohe, me ose pa qëllim, në sinkron me VMRO-DPMNE. Kjo e fundit e instrumentalizoi opozitën shqiptare duke e vënë në përplasje të drejtpërdrejtë me LSDM-në. Rreziku i marrë për të paralizuar punën e Kuvendit solli elektrizim dhe forcoi kohezionin brenda koalicionit opozitar por i njëjti mund të rikthehet si bumerang në një afat më të gjatë nëse nuk arrijnë ta amortizojnë sjelljen destruktive me akte të reja konstruktive që vendosin interesin e qytetarëve para nevojës për pikë politike.
U bënë më shumë se një vit nga shpërthimi i pandemisë së Covid-19 dhe qysh atëherë dinamika e jetëve tona është dominuar thuajse plotësisht nga ajo. Normaliteti i ri për të cilin flisnin shkencëtarët dhe ekspertët nuk është më i ri, por është kthyer në një përditshmëri bajate që përcjell ditët njëra pas tjetrës në pritje e plot ankth kur do të kthehet normaliteti i vjetër, i cili kurdo që të kthehet do vijë pa njerëzit që e humbën luftën me virusin. Për të tjerë normaliteti i vjetër do të kthehet pa vendin e tyre të punës ose biznesin e vogël familjar. Normaliteti i ri ndryshoi thuajse gjithçka përveç sjelljes politike të partive dhe politikanëve tanë.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)