Shkup, 13 janar – Teleferiku me gjashtë ulëse në Kodrën e Diellit, prej vitesh është në këtë gjendje, jashtë funksionit. Ministria e Transportit akoma nuk ka dhënë leje për përdorimin e teleferikut, pavarësisht se një përgjigje pritej deri më 10 janar. Nga ky dikaster sot nuk dhanë përgjigje, për dallim prej një jave më parë kur thanë se kërkesa për teleferikun është në shqyrtim, raporton alsat_m, transmeton KOHA.
Pa përgjigje mbetëm edhe nga Elektranat e Maqedonisë së Veriut, ish ELEM të cilët edhe pse janë pronarë dhe menaxhues të teleferikut me gjashtë ulëse, problemin e adresojnë tek Elem Turs. Këta të fundit thonë se presin përgjigjen nga Transporti.
“Pas përfundimit të procedurës së përgjithshme dhe marrjes së lejes së nevojshme nga ana e Ministrisë së Transportit dhe lidhjeve, krijohen kushtet që “Elem Turs” ta lëshojë në përdorim gjashtë ulësen. Fjalën e fundit, për fillim me punë të teleferikut e ka EMV-ja”, njoftojnë nga Elem Turs.
Përgjigje konkrete nuk dha as Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, i cili, muaj më parë, i shoqëruar edhe nga disa funksionarë tjerë tha se brenda muajit dhjetor, teleferiku do lëshohet në përdorim.
“Pra nga ingerencat e inspektoratit teknik dhe ministrisë së ekonomisë është përmbyllur i gjithë dokumentacioni dhe sipas informatave të mia, janë ca çështje të vogla që duhet t’i kryejnë centralet e Maqedonisë në kuadër të Ministrisë së Transportit”, tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.
Pos problemit me teleferikun, në kodrën e Diellit, mbetet ende i pazgjidhur edhe problemi i parkimit të makinave dhe infrastrukturës tejet të dëmtuar.