Evis HALILI
Shkup, 1 mars – Tetë projekte të Programit vjetor për financimin e projekteve me interes nacional në kulturë nuk do të jenë më pjesë e listës së projekteve të përzgjedhura si fituese për t’u realizuar gjatë këtij viti. Pas debatit të hapur nga gazeta Koha përmes publikimit të një sërë parregullsish të natyrave të ndryshme, konflikte interesash, përqendrimit të buxhetit të kulturës në shoqata, individë…, të vërejtura në rezultatet e Konkursit vjetor për financimin e projekteve me interes nacional – Ministria e Kulturës reagoi duke marrë në shqyrtim situatën e krijuar. Sekretari shtetëror Valmir Aziri pohon se trekëndëshi i bashkëpunimit i krijuar mes ministrisë, transparencës dhe mediave funksionoi duke nxjerrë në pah parregullsitë dhe shansin për t’u korrigjuar. Tetë prej disa projekteve të denoncuara nga gazetën KOHA nuk janë me pjesë e listës, ndërsa gjatë periudhës në vijim, priten ndryshime të tjera bazuar në vërejtjet nga të gjitha ata që kanë konkurruar dhe kanë pasur pakënaqësi në mënyrën sesi janë vlerësuar dhe trajtuar financiarisht projektet e tyre, por edhe ato që janë refuzuar.
Nga ana tjetër, nuk jepen sqarime nëse do të kërkohet përgjegjësi për ato raste të nepotizmit dhe konfliktit të interesave.
“Të gjitha këto projektet e përfolura dhe për të cilat kishte vërejtje për nepotizëm, apo ‘shoqata’ që nuk ekzistonin, janë reviduar. Vlen të theksohet se 95 për qind e tyre janë tërhequr nga vetë aplikantët, dhe e rëndësishme është se nuk do të jenë më pjesë e Programit vjetor. Tani jemi në fazën tjetër. Pas nënshkrimit të kontratave mes palëve Ministrisë dhe aplikuesve – të gjithë ato që do të kenë vërejtje, si për mënyrën e financimit, apo sesi është trajtuar projekti, do të kenë mundësi të ankimojnë në shkallën e dytë, në një afat prej 14 ditësh dhe ne do të marrim parasysh të gjitha vërejtjet që do t’na japin ato që kanë konkurruar me projekte”, thotë Aziri.
Duke iu referuar projekteve të miratuara në total, në Programin vjetor për to është parashikuar një fond prej 170 milionë denarë, ose rreth 25 për qind e buxhetit të përgjithshëm. Ekspozita e Anri Salës, Opera Skënderbeu, koncerti i Shkëlzen Dolit, e të tjera janë disa prej ngjarjeve kulmore që do të zhvillohen gjatë këtij viti, dhe pjesë e manifestimeve mbarëshqiptre që realizohen në kuadër të Vitit të Gjergjit, 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar dhe 110 vjetorit të Kongresit të Manastirit. Aziri po ashtu vë në dukje se Programi i këtij viti është jo vetëm më dimensional sa i takon numrit të projekteve të miratuara, por edhe fondit me të cilin do të financohet, krahasuar me vitet e kaluara.
Në kategorinë e manifestimeve, nëse vitin e kaluar u nda një fond prej mbi 3 milionë denarë për manifestime shqiptare, këtë vit kjo shumë është trefishuar, duke arritur në rreth 9 milionë denarë. Përveç festivalit teatror “Shkupi Fest”, këtë vit në këtë kategori janë edhe Festivali i poezisë “Ditët e Naimit” (800 mijë denarë), festivali i Allegrettos “Skena e muzikës serioze shqiptare” (mbi tre milionë denarë), festivali “Këngë Jeho” (1 milion denarë), e të tjera. Në sferën e projekteve Interdisiplinare, e hapur këtë vit – për projektet shqiptare është akorduar një shumë prej afër tre milionë denarë për gjithsej tetë projekte. Veprimtaria botuese, sipas Azirit, shënon përqindjen më të lartë nga buxheti i përgjithshëm (rreth 25 milionë denarë), mbi 33 për qind për 2018, ose më shumë krahasuar me 2017 (27.6 për qind).
Tek pjesa e investimeve kapitale, për këtë vit si kryesore mbeten ndërtimi i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës (210 milionë denarë), përfundimi i punimeve rikonstruktuese të Teatrit Shqiptar të Shkupit (250 milionë denarë), vazhdimi i punimeve për Shtëpinë e Kulturës në Mateç (36 milionë denarë), si edhe krijimi i Ansamblit shtetëror me një fond prej 48 milionë denarë. (koha.mk)