Presidenti i shtetit nuk do të mundë ta përfaqësojë Kosovën në fazën finale të negociatave me Serbinë. Kjo, në rast se vendos t’i bindet aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin është shpallur jokushtetues një ligj që përcaktonte detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror në procesin e dialogut me fqinjin verior, shkruan sot Koha Ditore.
Aktgjykimi i publikuar një ditë më parë nga Kushtetuesja, e për thelbin e përmbajtjes së të cilit gazeta ka raportuar dy javë më parë, ka trajtuar edhe rolin që secili prej institucioneve e ka në politikën e jashtme.
Enver Hasani është profesor në Fakultetin Juridik dhe për shtatë vjet ka qenë kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Tek është shërbyer me referenca kushtetuese, por edhe me aktgjykimin e publikuar një ditë më parë, ai ka treguar se cili mund të jetë angazhimi i kreut të shtetit në negociatat me Serbinë.
“Në bazë të Kushtetutës dhe Aktgjykimit që e interpreton Kushtetutën, roli i presidentit është vetëm konsultativ dhe atë konsultim mund ta bëjë vetëm Qeveria nëse dëshiron, vetëm sa i përket zbatimit e jo propozimit të politikës së jashtme. Ekzekutivi mund të konsultohet me të dhe jashtë këtij roli nuk ka asnjë prerogativë kushtetuese, sepse presidenti nuk i përgjigjet Kuvendit”, i ka thënë gazetës Hasani.