Në këtë kooperativë do të bëjnë pjesë afër 20 bujq, ndërsa janë të përfshirë rreth 15 mijë kokë dhen. Nga kjo kooperativë kanë apeluar edhe tek bujqit apo fermerët tjerë që të bashkohen në këtë nismë
Urim HASIPI
Tetovë, 10 mars – Në rajonin më të gjerë të Tetovës, për herë të parë është themeluar një kooperativë bujqësore dhe e blegtorëve. Tash e tutje, rreth 20 bujq dhe blegtorë të cilët veprojnë individualisht në këtë rajon do të veprojnë si një trup i vetëm ndërsa kooperativa do të mbajë emrin “Sharri”. Ajo që është më interesante në këtë rast, është se në krye të kësaj kooperative është zgjedhur një femër.
Ideja për themelimin e kësaj kooperative ka ardhur si pasojë se shumë bujq, fermerë dhe blegtorë kanë nevojë për informim më të mirë që në të ardhmen këta bujq do të kenë mundësi të marrin edhe shumë informata në këtë drejtim edhe për fondet ndërkombëtare, tha kryetarja e kooperativës, Behare Neziri. “Një nga detyrat kryesore të kësaj kooperative do të jetë informimi i bujqve, ndihma për ata, qasja më e lehtë deri tek fondet evropiane por edhe të Ministrisë së Bujqësisë. Shumë blegtorë dhe shumë bujq kanë nevojë për ndihmë ”, tha kryetarja e koperativës Behare Neziri.
Në ndërkohë, në aktin e themelimit të kësaj kooperative, kishte edhe përfaqësues nga kooperativa “Ovçe Pole”, të cilët në të ardhmen do të ndihmojnë këtë kooperativë që të ketë vazhdimësi. Kjo kooperativë është e para që është themeluar në Maqedoninë e Veriut, me 20 anëtarë, të cilët në total përfshijnë rreth 13 mijë kokë dhen. “Qëllimi ynë që të ndihmojnë për themelimin e kooperativës bujqësore në Tetovë ‘Sharri’,e cila në të ardhmen do të mund të krijojë brende të njohura. Qëllimi parësor është që të arrijmë tek fondet ndërkombëtare dhe ato vendore, t’i organizojmë ata që kanë dhen, por edhe të kthejmë imazhin e Qengjit të Sharrit, të rikthejmë brendin e Kaçkavallit të Sharrit dhe të standardizojmë djathin e Sharrit, që të jetë në nivele evropiane. Poashtu, do të punojmë që në të ardhmen të ketë një brend të groshës së Tetovës, sepse kohëve të fundit ka humbur ky brend, dhe do të tentojmë ta rikthejmë në treg, me tiketa origjinale, sepse tash nuk ka asnjë standard për groshën e Pollogut”, tha Mome Mladenovski, përfaqësues i kooperativës “Ovçe Pole”.
Ndërkaq, blegtorët tetovarë, shprehen se kjo nismë është e mirëseardhur. Vështirë është shumë që të mbijetohet me blegtori, për shkak të mungesës së subvencioneve, kushteve infrastrukturore, tregut jolojal dhe mungesës së fuqisë punëtore. Shafi Ademi, është një mërgimtar që është kthyer në vendlindje dhe merret me blegtori, por është përballur me shumë sfida. Sipas tij, pritet që në të ardhmen, djathi mos të shitet si deri më tani pa paketim, pa tiketë mbrojtëse e kështu me radhë, por kjo të jetë e organizuar. “Kishim nevojë që të gjithë blegtorët të bëhemi bashkë, të bëjmë prodhime vendore të brenduara, tradicional të djathit, të mishit e kështu me radhë. Kemi prodhimin bio më të mirë në vend sepse toka nuk ka shumë pesticide dhe me të vërtetë mund të bëjmë prodhime shumë të mira edhe të djathit, qumështit por edhe të qengjit”, tha Shabi Ademi-drejtor i fermës në Sllarevë. Në këtë kooperativë do të bëjnë pjesë afër 20 bujq, ndërsa janë të përfshirë rreth 15 mijë kokë dhen. Nga kjo kooperativë kanë apeluar edhe tek bujqit apo fermerët tjerë që të bashkohen në këtë nismë. (koha.mk)