E premte, 14 Nëntor, 2025
5.8 C
Skopje

Tirana dhe faktori shqiptar në Ballkan

Do duhej gjithashtu edhe një analizë tjetër mbi rolin e Prishtinës zyrtare, në rastin konkret, politikat e Kurtit, mbi shqiptarët në rajon. Megjithatë, një trajtesë e tillë i tejkalon qasjet politike, por duhet parë në prizmin e elementëve të tjerë, që mund të jenë të karakterit gjeografik, sociologjik, kulturor, e madje edhe fetarë, përherë duke i kthyer këto faktorë në linjat përbashkuese albanianiste dhe laike

 

Nga Eduart CAKA

Ndonëse me një ekonomi të dobët dhe sistem politik të brishtë, Shqipëria ka vijuar të mbetet gjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit të stërzgjatur një qendër e rëndësishme e politikave dhe diplomacisë rajonale. Kjo, jo për ndonjë meritë të Tiranës, por për dy shkaqe kryesore: së pari, qenia e Shqipërisë, si qendër e faktorit etnik shqiptar, faktor ky që shtrihet me një peshë të spikatur në katër shtete të tjera me të cilat ne kufizohemi. Ndërsa shkaku tjetër ka të bëjë me perspektivën gjeopolitike dhe problemin themelor të një “përplasje të ftohtë” ende në përvijim, ndeshjen e Perëndimit me interesat e “perandorisë” ruse, ekspansionin e pandalur kinez, që ‘pushon’ në një zonë jo zyrtare neutrale, në Beograd.

Ndërkohë Perëndimi i “peshon”, përsa i përket Europës Juglindore, në Athinë planet e veta mbi këtë rajon. Tirana, nga ana e saj, ndonëse mban qartësisht anën perëndimore, sërish ajo ka mundësinë të ngërthejë brenda vetes potenciale më të mëdha, sikurse janë marrëdhëniet me faktorë të tjerë rajonalë, të cilat e bëjnë faktorin shqiptar të jetë në një pozitë më të favorshme krahasuar me dy të parat. Kjo, për faktin se kryeqyteti shqiptar mund ta bëjë shumë mirë rolin e intelekutorit me Turqinë fjala vjen, e cila i përket boshtit perëndimor, njëlloj sikurse edhe Lindjes së Afërme. Por, që nuk e njeh Athinën si “qendër” të balancave dhe planeve politike euro-atlantike mbi rajonin. Pyetja që bëjmë është kjo: Sa ia ka arritur Tirana ta luajë rolin pritës në tryezën e diplomacisë rajonale e globale? Dhënia e një përgjigjeje të saktë mbi këtë pyetje kërkon një analizë më vete, por në lidhje me pikën tjetër, pra atë të qenit një qendër e faktorit shqiptar në rajon, këtu panorama e pozicionit dhe rolit të Shqipërisë, është shumë e lexueshme. Para se të hyjmë në këtë trajtesë, fillimisht mendoj se është me rëndësi të evidentohen disa aspekte kritike që sipas meje e kanë kushtëzuar pozicionimin diplomatik të Tiranës.

I pari është elementi gjeostrategjik, ku Shqipëria është pozicionuar në qëndrimet e veta krahas aleatëve të mëdhenj, sikurse janë SHBA-të apo BEsë në çështje të ndryshme të diskutuara në institucionet ndërkombëtare. Ndërsa aspekti i dytë ka të bëjë me faktorin e brendshëm, ku partitë politike që erdhën në pushtet gjatë këtyre dekadave të tranzicionit dhe që ngjajnë si dy pika uji në kuptimin e tyre mbi përgjegjësinë ndaj shtetit dhe ndarjen mes shtetit dhe pushtetit, nuk e shkëputën shtetin me pushtetin, por e politizuan edhe shërbimin diplomatik duke bërë që në politikën e jashtme, Tirana zyrtare të mos ketë një vazhdimësi, por ajo të kushtëzohej sipas kryetarit të partisë në pushtet. Mjafton këtu të përmenden akuzat e shumta të palëve politike për partinë e radhës që ishte në pushtet, e cila e kishte mbushur shërbimin diplomatik me familjarë, militantë dhe njerëz të paaftë për detyra e përfaqësi kaq me peshë. Rrjedhojë e këtij problemi është ajo, që ndryshe e quajmë edhe si mungesë të një vije të kuqe në politikën e jashtme të vendit.

Ndonëse 4 mandatet e Partisë Socialiste në qeverisjen e vendit duken se e kanë konsoliduar linjën e politikës së jashtme, nëse vizitojmë Shkupin apo Podgoricën nuk e vërejmë këtë ndryshim. Këtu, përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë thuajse nuk ndihen në jetën kulturore, ekonomike e politike të vendit përkatës, gjë e cila duket joproporcionale nëse do ta krahasojmë me numrat dhe pozitat e faktorit shqiptar në këto shtete dhe peshën specifike që Tirana zyrtare duhet të shpalosë këtu.

Megjithatë, në kuadër të rolit që Shqipëria duhet të luajë në këto shtete kaq të rëndësishme për ne, duket se këtë herë ka lindur një problem tjetër, përkatësisht vizioni i kryeministrit shqiptar për ta shkëputur vendin dhe rajonin “nga hijet e së shkuarës”. Një tezë sa guximtare aq edhe sfiduese, nëse do të kemi parasysh faktin se pikërisht këto kohë, në rajon por edhe më gjerë, po bien gjithnjë e më shumë retë e së shkuarës. Pyetja që ne bëjmë është “çfarë janë hijet e së shkuarës?”, ose nuk ka kapacitete shtetformuese ky vend në politikën e jashtme sa të krijojë binarë solide afatgjatë, që të përkojnë me interesat kombëtare, nacionale dhe shekullare?! Shpalosja më e qartë e kësaj teze ishte eksperimenti i dështuar i Ballkanit të Hapur, ku në tavolinën e kryeministrit shqiptar me presidentin serb nuk kishte vend as për kryeministrin e Kosovës, i cili e refuzoi deri në fund këtë nismë. Këtu del në pah ajo vija e kuqe e politikës së jashtme të shteteve, ku Tirana e ka detyrim kushtetues, por edhe moral e politik që t’i mbrojë me çdo kusht interesat e shqiptarëve kudo që janë. Duket se mëria ndaj këtij trajtimi të Kosovës në tryezën e Ballkanit të Hapur nuk mbetet e kufizuar vetëm me klasën politike, atë intelektuale apo “shtresat nacionaliste”.

Më kujtohet një bisedë me një taksist në Prishtinë gjatë vitit të shkuar, kur e pyeta nëse e kishte vizituar Shqipërinë së afërmi. “Jo” mu përgjigj. “Unë kam luftuar në mal për këtë vend. Me mënyrën si kryeministri juaj sillet ndaj Kosovës, as nuk e kam në mend të vij”. Ndonëse kryeministri shqiptar është një “internacionalist” i skajshëm, homologu i tij në Prishtinë është krejt e kundërta. Ajo çka i bashkon të dy është vetëm inati prej shqiptari, për të këmbëngulur secili në qëndrimin e vet. Pasi u përplasën të dy për vota në Shqipëri, ku Lëvizja Vetëvendosje nxori kandidatët e vet në zgjedhje, tashmë ata e kanë zhvendosur arenën e përleshjes në Shkup, ku Kurti mbështet shqiptarët në pushtet, ndërsa Rama ata në opozitë. Kaq e madhe duket se është urrejtja mes tyre, sa edhe në takimin e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor që u mbajt në Shkup më 1 korrik, secili prej tyre i mbushi mediet sociale me fotot e bëra me “tarafin e vet”. Në të vërtetë, ai që humbi ishte vetëm faktori shqiptar. Prishtina dhe Tirana nuk ia dalin të mbështesin me të njëjtën gjuhë të qytetëruar dhe të shekullarizuar faktorin politik dhe etnik shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut?!

Do duhej gjithashtu edhe një analizë tjetër mbi rolin e Prishtinës zyrtare, në rastin konkret, politikat e Kurtit, mbi shqiptarët në rajon. Megjithatë, një trajtesë e tillë i tejkalon qasjet politike, por duhet parë në prizmin e elementëve të tjerë, që mund të jenë të karakterit gjeografik, sociologjik, kulturor, e madje edhe fetarë, përherë duke i kthyer këto faktorë në linjat përbashkuese albanianiste dhe laike. Sigurisht që në këtë afërsi ka luajtur rol të madh edhe konteksti historik, ku gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë, afërsia ndërmjet tyre ka qenë më efektive krahasuar me Shqipërinë e mbyllur prej regjimit komunist. Së fundmi, aspekti infrastrukturor po luan një peshë domethënëse ndërmjet vendeve, ku me projektet e fundit, Prishtina me Shkupin janë afruar më shumë se kurrë më parë. Por, ajo çka duhet parë me kujdes këtu, është fakti se tanimë Tirana nuk duket se e gëzon më postin e pretenduar me prepotencë të “vëllait të madh”, i cili përfaqësonte “shtetin amë” për ata shqiptarë që deri në vitin ‘90 jetonin me një ëndërr, atë të një Shqipërie që u dilte zot të gjithëve.

Sot, “këshillat” e Tiranës nuk merren më parasysh në Prishtinë, por duket se kanë nisur të mos “dëgjohen” më as edhe në Shkup. Vetë fakti se tashmë ky rol vihet në dyshim, tregon se Tirana e ka humbur rolin e saj si qendra ku krijohet fryma, kohezioni, bashkërendimi, bashkimi. Në përfundim lind pyetja: Ç’vlerë do të kishte shkëlqimi në tryezën e diplomacisë së lartë, kur jemi të përçarë në shtëpinë tonë? (Panorama)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm