Pasi kryhet akti i shtypjes në matricë, tek ne në shtëpi erdhën Behadin Hallaçi dhe Shaban Muja. Ata pushuan pak kohë dhe drekuan, e pastaj filluan me punë me shaptilografin. Më kujtohet se në rrugë, jashtë shtëpisë e vuri roje vëllain tim të madh, Seferin. Ndërsa unë me Reshat Latifin, për gjithë pasditen e deri në mbrëmje, punuam në shaptilograf…
Nga Fitor SEFERI
Ideja ime në këtë rrëfim nuk është që të flas për rrethanat politiko-shoqërore të shqiptarëve në Maqedoni. Por, dua të ndaj me ju lexues një rrëfim, të një ngjarje të vitit të largët 1989.
Komiteti Drejtues i Lëvizjes Popullore Për Republikën e Kosovës (LPRK), në tetor të 1989, kishte vendosur të shpërndajë një Trakt mbi situatën politike shumë të rëndë të popullit shqiptar në ish-Jugosllavi. Për ta shpërndarë një Trakt, në ato kohëra duhej që përveç të përpilohej e të hidhet në letër, duhej të merrej vendim dhe miratim nga organet përkatëse. Gjithherë besimin për ta organizuar këtë veprimtari, përzgjidheshin kuadrot më të përgatitura dhe më të besuara, që t’i realizonin gjitha fazat, e deri te shpërndarja. Për ta shtypur duheshin mjetet bazë: letër, ngjyrë e mjete tjera teknike. Mjete që për kohën ishte shumë vështirë të siguroheshin dhe bartnin rrezikshmëri të jashtëzakonshme.
Kjo, për kohën sodit dhe gjeneratat e reja, duken të pakuptimta dhe vështirë e kanë ta imagjinojnë se si një fletë e vogël e quajtur “Trakt”, ka shkaktuar destabilitet dhe rrezik për okupatorët sllav.
Kur sot, mundësia për t’i paraqitur ato mendime e bindje të një trakti është shumë e lehtë. Nga mundësia përmes një statusi në rrjetet sociale, e deri te mundësia ato për ti shkruar e paraqitur në gazetat elektronike e portalet, si dhe shumë mundësi të tjera. Për kohën, po të kapej një Trakt nga forcat okupuese, pasojat ishin të rënda – ndjekje, largim nga puna dhe dënime me burgosje me vite të tëra. Imagjinoni për një Trakt çfarë pasoja kishte, po për një gazetë e libër të ndaluar, apo një bazë e organizatës me materiale teknike që për kohën ishin të ndaluara? Ato ishin kohëra ku dominonte një vullnet i madh për punë atdhetare, punë që përcillej me një disiplinë të lartë, duke mos kursyer asgjë nga vetvetja për t’i i realizuara detyrat që ngarkoheshim. E pra, Trakti i tetorit të vitit 1989 i ishte ngarkuar Arif Seferit (sot Dëshmor i Kombit), të bënte punët përcjellëse deri te shtypja.
Në atë kohë, unë Fitori, djalë i Arifit, isha në moshë shumë të re. Por, i mbaj në mend deri në detaje se si ishte organizuar dhe shtypur ky Trakt në shtëpinë tonë, bazë e LPRK-së. Për ta shkruar këtë rrëfim, kam vënë kontakte me ish aktivistë të LPRK-së, që t’i sjellin mendimet e tyre. Ja se si e evokon dhe e përshkruan këtë akt veprimtari Agim Shillova:
“Unë, Agim Shillova, nga fshati Topliqan, Komuna e Lipjanit, qysh në vitet e 80, emigrova në Zvicër. Atje u njoha me shumë shokë që ishin të angazhuar në LPRK. Arif Seferin e takova në Mbledhjen e Dytë të Përgjithshme të LPRK-së. Arifi ishte delegat i kësaj mbledhje. Po atë vit, unë u ngarkova me detyra të shumta. Njëra ndër to ishte edhe sjellja e një shaptilografi, si dhe një makinë shkrimi elektronik nga Zvicra në Kosovë, ndërsa duhej ti merrte Arif Seferi. Këtë veprimtari e realizuam me një shok shqiptar, që kishte shtetësi dhe pasaportën e Turqisë, i cili quhej Hysni. Ky jetonte, punonte dhe vepronte në Bazell të Zvicerës.
Pasi erdha në vendlindje, e mora në telefon Arifin dhe i kumtova që duhej të takohemi. Dy ditë më pas, erdhi Arifi me një veturë ‘Reno 4’, me një shok të tij, që më vonë i mësova emrin, e që quhej Reshat, arsimtar i Biologjisë. Arifi më tha që atë ditë nuk do ta marrë shaptilografin dhe makinën e shtypit, por do të vinte pas dy ditësh. Edhe vërtetë ashtu ndodhi, erdhën me të njëjtën makinë , së bashku me Reshatin. Posa hyri tek shtëpia ime, i luta siç është zakoni që i presim miqtë me ushqim apo ndonjë kafe. Por, ata refuzuan, sepse shqetësimi i tyre ishte, gjithashtu edhe i imi, se si do të kalonin rrugës, e rruga ishte e largët deri në Kumanovë, me përplot rreziqe.
Me makinën time, teknikën e barta deri në fshatin Bibaj, Komuna e Ferizajt. Doja të ndaja me shokët rrezikun për transport, së paku deri aty ku kisha mundësi. Tek Bibajt, teknikën e bartëm te makina e shokëve. Pas dy ore e kishim lënë t’i telefonoja, për ta kuptuar se si kishin kaluar rrugës. U dëgjuam, e në telefon më tha: mirë shumë, e mora parketin e më doli shumë i mirë. Herën e fundit që e takova Arfin, ishte momenti që së bashku ishim pjesëmarrës në demonstratat e 1989, në Ferizaj, kundër ndryshimeve kushtetuese. Për Arif Seferin, Dëshmorin e Kombit, mbajë kujtimet më të mira, për një burrë sy patrembur, shok i idealit.
Lavdi jetës dhe veprës se Dëshmorit të Kombit Arif Seferit!
Lavdi demonstratave të vitit 1988, në Kumanovë!”, e mbyll rrëfimin e tij Agim Shillova, ish anëtarë i LPRK-së.
E mbaj në mend se si me babain (Arifin), shkuam në Shkup dhe te një librari në Bit Pazar, i bleu një pako me letra, gjithsej dhjetë mijë copë letra. Ky rast më ishte ngulitur në mend, për të vetmen arsye, se pse kaq shumë letra mori babai, për çfarë do ti përdore?! Ende nuk e dija për shtypjen e Traktit që do të bëhej në shtëpinë tonë, nuk e dija se edhe unë do të isha pjesëmarrës në këtë veprimtari.
Shumë më vonë e kam mësuar se tekst-shkruesi i këtij trakti kishte qenë Afrim Zhitija, Hero i Kombit. Teksti duhej në fillim të shtypej në matricë. Këtë mundësi e kishin mjetet teknike që i posedonin shkollat. E për fat të mirë, babai im ishte mësimdhënës, ndërsa punëtori dhe mirëmbajtësi i kësaj teknike ishte Zulfi Bislim, bashkëmendimtar dhe shok i babait. Ai e ndihmoi duke u vërë në shërbim dhe tekstin e shtypën në matricë.
Pasi kryhet akti i shtypjes në matricë, tek ne në shtëpi erdhën Behadin Hallaçi dhe Shaban Muja. Ata pushuan pak kohë dhe drekuan, e pastaj filluan me punë me shaptilografin. Më kujtohet se në rrugë, jashtë shtëpisë e vuri roje vëllain tim të madh, Seferin. Ndërsa unë me Reshat Latifin, për gjithë pasditen e deri në mbrëmje, punuam në shaptilograf. Në mbrëmje, Seferi na paralajmëroi se po vinë disa kushërinj tek ne në vizitë. E ne shpejtë i mblodhëm të gjitha gjërat dhe i larguam. Ndërsa Behadinin dhe Shabanin i paraqitëm si shokë të studimeve të Isufit (vëllai im), i cili në atë kohë ishte student në Prishtinë.
Pasi shkuan miqtë e familjes, vazhduam punën me shaptilograf deri në mëngjes.
Fazë tjetër që barte rrezik në vete ishte se si traktet e shtypura të arrijnë në destinacionin e duhur. E destinacioni ishte Prizreni. Në fillim ra si ide që traktet të vendosen në pako të detergjenteve, që shërbenin për larjen e rrobave. Por, mendimi i Seferit u pranua si më mirë e deri diku më sigurt, që traktet të futen brenda gomave rezervë të makinave të vozitjes. Edhe ashtu vepruan, në gomën rezervë të veturës Opel Rekord, që me të kishin ardhur shokët Behadini e Shabani, si dhe në gomën rezervë të veturës BMW, që e posedonte babai im. “Fati i përcjell trimat”, fjali e urtë popullore, edhe kështu ndodhi, fati deshi që i gjithë aksioni i bartjes të kalojë mirë.
Faza e fundit kishte mbetur – shpërndarja e traktit. Edhe kjo fazë realizohet me përpikmëri, duke zbatuar të gjitha direktivat që i kishte ndarë Komiteti Drejtues. Traktet dërgoheshin në Këshillat e Rrethit, e ato i shpërndanin anëtarëve të Këshillave Popullore, që për të realizuar shpërndarjen në terren në mënyrë masive. Vonë, shumë vonë e kam kuptuar se nga Komiteti Drejtues ishte caktuar Menderez Zendeli, që këto trakte t’i sillte për Këshillin e Rrethit të Kumanovës. E pra, kjo disiplinë e hekurt, ky përkushtim deri në vetëflijim i bëri të pamposhtura organizimet për lirinë e kombit.
Respekt deri në përulje për të gjithë veprimtarët, për familjet e tyre që u shndërruan në kulla të pamposhtura! Lavdi deri në përjetësi për të gjithë dëshmorët e kombit, që e dhanë jetën gjatë rrugëtimit për liri! (koha.mk)