Urim HASIPI
Tetovë, 1 mars – Për katër ditë, në repartin e Ortopedisë në Spitalin Klinik të Tetovës ndihmë mjekësore kanë kërkuar mbi 15 pacientë, të cilët kanë patur thyerje të ndryshme në trup, si pasojë e rrugëve të papastruara dhe trotuaret nëpër rrugët kryesore dhe ato dytësore, shkruan gazeta KOHA. Kjo ka bërë që të rritet fluksi i pacientëve në këtë repart, pohojnë mjekët të cilët nënvizojnë se brenda katër ditëve, fraktura të ndryshme.
“Lëndimet janë nga më të ndryshimet, duke filluar nga indet e buta, sistemit lokomotor edhe të ashteve, gjegjësisht thyerjeve. Është fakt se kohëve të fundit me ndryshimet klimaterike, ka një fluks më të lartë të dëmtimeve të këtilla. Ka patur pacientë me dëmtime të indeve të buta. Në repartin e Ortopedisë në këto katër apo pesë ditët e fundit ka një rritje të numrit të pacientëve, dhe numri i përgjithshëm është 15 pacientë që kanë patur thyerje të ndryshme. Këtë numër nuk e kemi në kushte normale”, thotë Ferit Muharemi, kirurg në Spitalin Klinik të Tetovës. Megjithatë, problem ende në shumë pjesë të qytetit sidomos në trotuare ngelin ngricat, të cilët deri më tash kanë bërë që të ketë shumë persona të lënduar si pasojë e rrëzimit. Më tepër pësojnë persona të moshuar, ndërsa sipas mjekëve, më tepër dëmtime njerëzit pësojnë duke marrë fraktura në këmbë dhe në krahë si pasojë e rrëshqitjes në rrugët e ngrira me akull. Sipas mjekëve, në këtë periudhë më shumë lëndime kanë marrë pacientët e moshës madhore ndaj të cilëve apelohet për më shumë kujdes.
“Në këto kushte klimaterike rrugët duhet të jenë të më pastra, kurse personat e moshuar duhet që të kenë më shumë kujdes, sepse mund të pësojnë ndonjë lëndim edhe më serioze. Pacientët që kanë kërkuar ndihmë në repartin e ortopedisë janë ata më të moshuarit, por nuk mungojnë edhe pacientët e moshave tjera. Kryesisht janë të moshës mbi 50 vjeçare”, thotë Muharemi.
Nga ky repart apelojnë që fëmijët dhe pleqtë të jenë më të kujdesshëm në këtë kohë për shkak se ata më lehtë lëndohen dhe numri më i madh i pacientëve në repartin e ortopedisë janë fëmijët dhe pleqtë. Mjekët thonë se reparti i ortopedisë është i gatshëm të presë pacientë dhe ka marrë të gjitha masat e nevojshme, ndërsa apelon që të gjithë qytetarët të jenë më të kujdesshme gjatë këtyre temperaturave sidomos kur janë nën zero dhe të vishen më trashë, të mbathin këpucë që nuk rrëshqasin.
Nga NPK Tetova-Tetovë thonë se punëtorë të ndërmarrjes gjatë ndërrimit të dytë dhe të tretë kanë vazhduar me largimin e borës dhe akullit nga sipërfaqet publike qarkulluese për të mundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve. Përndryshe, si në shumë qytete të Maqedonisë, edhe në Tetovë rrugët dytësore paraqesin problem, pasi sipas autoriteteve të pushtetit lokal, prioritet u është dhënë rrugëve kryesore. (koha.mk)