Skuadra e Dritës gjatë të mërkurën pasdite ka marr lajmin e hidhur nga UEFA, duke pësuar humbje në tavolinë ndaj Linfield FC me rezultat 3-0. Ndeshja ishte paraparë të zhvillohet më 11 gusht në Nyon të Zvicër, por që u anulua. Një lojtar i Dritës para ndeshjes me Linfield FC, kishte rezultuar pozitiv, që ishte lojtari i dytë i testuar pozitiv për COVID-19 dhe për këtë ndeshja finale e paraelimnatoreve të Ligës së Kampionëve nuk u zhvillua.
Sipas UEFA-, çështja u dërgua në Organin e Kontrollit dhe Disiplinës të UEFA-s, për një vendim që do të merrej në përputhje me “Shtojcën I, të rregulloreve të Ligës së Kampionëve të 2020/21 të UEFA-s”. Bazuar në nenin 30 (4) të Rregullores Disiplinore të UEFA-s dhe duke pasur parasysh rrethanat urgjente të çështjes, kryetari i Organit të Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës ia referoi çështjen Organit të Apelit.
Kryetari i organit të apelit të UEFA-s mori sot vendimin e mëposhtëm: “Shpall ndeshjen e raundit paraeliminator të Ligës së Kampionëve të UEFA-s 2020/21 në mes të KF Drita dhe Linfield FC, që ishte paraparë të luhej në 11 gusht 2020, si e humbur nga KF Drita, e cila prandaj konsiderohet e humbur me rezultat 3-0 në përputhje me ‘Shtojcën I’, pika 2.1 e Rregullores së Ligës së Kampionëve të UEFA-s (sezoni 2020/21)”, Pika 2.1 shkruan se, nëse një ose më shumë lojtarë ose zyrtarë të një klubi dalin pozitivë për COVID-19 në testet e kërkuara nga UEFA, ndeshja do të zhvillohet ashtu siç është caktuar, përveç nëse autoritet e njërit ose të dy klubeve të përfshira ose të vendit ku do të zhvillohet ndeshja (në rast vendit neutral), kërkon që një grup i madh lojtarësh ose e gjithë skuadra të futet në karantinë, siç ndodhi me Dritën në Zvicër”, thuhet në njoftimin e organit të apelit të UEFA-s.
Me të kuptuar lajmin se e kanë humbur ndeshjen në tavolinë, reaguan edhe drejtuesit e klubit kosovar. “Sapo jemi njoftuar nga organet e UEFA-se që shkalla e Apelit ka vendosur që ne kemi humbur ndeshjen në tavolinë me rezultat zyrtar 3:0. Një vendim i habitshëm nga një institucion siç është UEFA, një vendim me kaq nxitim dhe pa kërkuar asnjë sqarim apo deklaratë shtesë nga klubi jonë”, shkruan Drita.
“Arsyeja kryesore e këtij vendimi është sepse ndeshja nuk ka mundur të shtyhet më shumë se tre ditë (14 gusht), e ku sipas vendimit thuhet se autoritetet zvicerane kanë kërkuar karantinim për 10 ditët në vazhdim për ekipin tonë, e “shumë arsye të tjera që nuk kanë të bëjnë me ne si klub por me organizatorin e këtij kompeticioni e që ka qenë vet UEFA, organizatore. Jemi thellësisht të indinjuar nga ky vendim i papritur dhe subjektiv. Tani neve si klub na mbetet që këtë çështje ta dorëzojmë në duart e avokatëve për t’i ndjekur deri në fund të gjitha rrugët ligjore”, thuhet në njoftimin e Dritës.
Tani që është eliminuar nga Liga e kampionëve, djemtë e trajnerit Ardian Nuhiu do të marrin pjesë në garat e Liga Evropës.