Supergoli i Jasir Asanit është zgjedhur goli më i mirë i xhiros së gjashtë të kualifikimeve për Euro 2024. Përzgjedhja është bërë nga UEFA, përmes votimit të hapur. Asani shënoi supergol në fitoren 2:0 të Shqipërisë ndaj Polonisë. Ndeshja ishte zhvilluar në “Air Albania” në Tiranë më 10 shtator.
Asani kishte shënuar për 1:0 në minutën e 37-të. Goditi bukur e saktë nga distanca, ndërsa portieri i Polonisë, Wojciech Szczesny nuk mundi të bëjë shumë ndonëse këndi prej nga goditi futbollisti shqiptar ishte shumë i vështirë.
Leandro Trossard i Belgjikës ka shënuar golin e dytë më të mirë të xhiros së gjashtë. Goli i Maxim Samorodovit të Kazakistanit u vlerësua i treti më i miri, ndërsa Joao Felix i Portugalisë shënoi golin e vlerësuar si i katërti më i miri. Katërshen finale e ka përzgjedhur UEFA, ndërsa goli më i mirë u vendos me votat e tifozëve.
Asani për herë të dytë ka shënuar golin më të mirë të xhiros. Goli i tij ishte vlerësuar më i miri edhe në xhiron e tretë. Bëhet fjalë për supergolin e shënuar ndaj Moldavisë, po ashtu në fitoren 2:0. Si ndaj Polonisë, topi i goditur nga Asani kishte bërë lëvizje të veçantë drejt portës.
Në fakt futbollistët e Shqipërisë janë shquar me supergola në këtë cikël eliminator. Këtë e dëshmon fakti që Kristjan Asllani kishte shënuar golin më të bukur në xhiron e katërt. “Perla” e Asllanit ishte parë në fitoren 3:1 ndaj Ishujve Faroe.
Shqipëria ka fituar tri prej pesë ndeshjeve të deritashme. Ka edhe një barazim dhe me dhjetë pikë udhëheq në Grupin E të kualifikimeve për Euro 2024. Shqipërinë e presin tri finale për kualifikim në Evropianin e vitit të ardhshëm.