Debati për “korrigjimin e kufijve” përveç atraksionit mediatik, ka nxitur edhe fantazinë politike për një temë që teknikisht mund të konsiderohet e pambyllur, por tash më e rrumbullakësuar nga aspekti i negociatave e marrëveshjeve jotransparente. Produkti final i kësaj teme pritet të bëhet publik shumë shpejt, me gjithë intensitetin e saj të befasisë dhe traumës publike
Nga Emin AZEMI
Të ndodhur në kurthin e lajmeve të rrejshme, lexuesit dhe shikuesit e mediave e kanë vështirë të marrin një qëndrim të prerë rreth zhvillimeve këtu afër nesh por edhe më larg. Si rast studimi madje mund të merret debati për “korrigjimin e kufijve”, që u inicua fillimisht nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe i zgjeruar pastaj nga politikanë e gazetarë të shumtë. Mundësia për të rrëshqitur në terrenin e dezinfromatës janë shumë të mëdha, kurse ndërtimi i qëndrimeve precize politike gati i pamundshëm.
Kur një debat zhvillohet në kufijtë e konspiracionit, është i determinuar të prodhojë më shumë konfuzitet se sa qartësi mendimi. Burimet e afërta me presidentin Thaçi, megjithatë e kanë të qartë se çka po ndodhë, mirëpo kjo nuk mjafton që të krijohet një ide më e qartë mbi i temën për të cilën po diskutohet. Në rrethana të tilla jo pak faktorë politikë, por edhe përfaqësues të mediave e të shoqërisë civile në Kosovë, sikur janë të prirur t’iu besojnë më tepër lajmeve të rrejshme se sa burimeve të mirëinformuara.
Rivaliteti i brendshëm politik dhe dualizmi i vetë përmbajtjes së këtij debati, ka lënë të hapur shumë shtigje për kauza publike e të fshehta, për ide të reja e ambicie të vjetra dhe për ballafaqime në mes të historisë dhe gjeografisë.
Çka ka mundur gazetaria të bëjë më shumë në kushtet kur politika është jotransparente?
Në radhë të pare, mediat nuk kanë mundur ta mbajnë të mbyllur debatin në suaza të ekspertëve të mirëfilltë, për arsye se ndërkohë për “korrigjim kufijsh” kanë folur dhe po flasin turli personi që (mos) njohjen me problemin e kanë shndërruar në dilema (personale) hamletiane “të jesh a mos t ë jesh”. Pastaj, natyra e problemit nuk ka duruar improvizime redaktoriale të mediave, duke hedhë në publik teza që jo gjithmonë kanë nxitur interaksion në mes të dijes dhe politikës, në mes të transparencës dhe diskrecionit.
Për pasojë, ky debat po i ngjan një lavjerrësi që mban pezull peshën e një problemi me amplituda të skajshme, ku mungojnë pllakëzat kryesore të mozaikut: qëndrimi zyrtar i Uashingtonit e Brukselit dhe përgjigja përfundimtare e Beogradit.
Një medie tregohet e pafuqishme të japë përgjigje për dilema të caktuara vetëm nëse e merr rolin që nuk i takon. Me fjalë të tjera, një medie kur shndërrohet në qendër ku matet fuqia politike e oponentëve e ka vështirë të bëjë diferencimin në mes të informacionit dhe qëndrimit. Në raste të tilla përgjegjësit e atyre mediave bëjnë punën e komisarëve për lidhje, ndërkohë që publikut i mbetet të ushqehet nga “ujemi” i informimit gjysëm të verifikuar.
Debati për “korrigjimin e kufijve” përveç atraksionit mediatik, ka nxitur edhe fantazinë politike për një temë që teknikisht mund të konsiderohet e pambyllur, por tash më e rrumbullakësuar nga aspekti i negociatave e marrëveshjeve jotransparente. Produkti final i kësaj teme pritet të bëhet publik shumë shpejt, me gjithë intensitetin e saj të befasisë dhe traumës publike. (koha.mk)