Tiranë, 7 tetor – Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sulë Ukshini deklaroi se dita e djeshme, kur u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, ishte ditë feste.
Duke e përshëndetur procesin zgjedhor dhe fushatën që i parapriu, ai shtoi se ka qenë me etikë më të madhe politike “për ç’shkak duhet të jetë shembull për shumë vende në rajon”.
Sipas tij, këto zgjedhje dërguan edhe porosinë në Bruksel se Kosova padrejtësisht është privuar nga lëvizja e lirë dhe se është pjesë e Evropës.
“Dje ishte një lloj feste, ndërsa 100.000 votues më shumë se zgjedhjet e kaluara, treguan se njerëzit ishin shumë më të interesuar të dalin dhe ta japin votën e tyre. Edhe fushata mund të jetë shembull për shumë vende në rajon. Për shkak të rrethanave, ne u poqëm para kohe. Në demokraci fitore është kur ka stabilitet dhe kredibilitet. Ky është shembull që Brukselit t’i thuhet se kosovarët padrejtësisht janë privuar nga lëvizja e lirë. Kosovarët treguan se janë pjesë e Evropës”, tha Ukshini.
I pyetur se si zgjedhja e Albin Kurtit për kryeministër do të ndikojë ndaj marrëdhënieve mes dy shteteve, ai tha se ato do të lëvizin përpara, sepse bëhet fjalë për një komb.
Me dozë humori, shtoi, Kosova është para Shqipërisë në futboll, muzikë, ndërkaq tani edhe në organizim të zgjedhjeve.
“Lidhur me interesin nacional mendoj se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë do të shkojnë përpara. Dy orientimet strategjike të Kosovës do të jenë Uashingtoni dhe Brukseli. Shqipëria është partnere natyrale, ne jemi një komb dhe kemi një gjuhë. Në futboll, muzikë dhe zgjedhje duhet të pranojmë se jemi përpara, ka disa gjëra që edhe Shqipëria duhet t’i pranojë, kështu që disa gjëra duhet t’i marrim ne nga ju dhe ju nga ne. Kjo është simbiozë natyrore”, tha Ukshini.