Urim HASIPI
Tetovë, 6 dhjetor – Që nga vërshimi i lumit të fshatit Poroj në vitin 2015, të cilat shkaktuan dëme të mëdha në fshat, mburojat e urës së këtij fshati që gjendet përgjatë magjistrales, Tetovë-Jazhincë, që për pasojë u shkatërruan tërësisht, ende nuk janë rivendosur, shkruan gazeta KOHA. Në këtë urë, e cila krahas mungesës së shenjave dhe mburojave po ashtu e njëjta është e dëmtuar dhe nuk i është nënshtruar riparimeve. Me këtë, automjetet që qarkullojnë janë të ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta, sepse nuk ka asnjë garanci apo paralajmërim se sa është qëndrueshmëria e urës ndaj automjeteve të rënda që lëvizin në këtë rrugë. Banorët shprehin shqetësimin e tyre se një pjesë e urës është pa asnjë mbrojtje, kurse rreziku do të jetë më i madh kur do të ketë ngrica. Banorët ankohen që mungesa e mburojave në këtë urë, paraqet rrezik potencial si për këmbësorët po ashtu edhe për veturat, të cilat qarkullojnë në këtë rrugë, për shkak se kjo rrugë është një ndër rrugët më të frekuentura në Pollog, pasi që lidh edhe Republikën e Maqedonisë me Republikën e Kosovës.
“Për çdo ditë qarkullojmë në këtë rrugë dhe deri tash nuk kemi pasur probleme, por tash e tutje siguria është vënë në pikëpyetje, sepse nuk ka asnjë mbrojtëse të vendosur në urën në fshatin Poroj. Duhet që të merren masa sa më shpejtë që të mos ndodhin aksidente apo edhe rënie në lum, si pasojë e mungesës së mbrojtësve përgjatë urës”, thotë Armendi, vozitës.
Nga ana tjetër, kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit Poroj, Sulejman Ramadani thotë se edhe përkundër kërkesave të shumta, të cilat i janë adresuar ndërmarrjes publike “Rrugët e Maqedonisë”, Komunës së Tetovës dhe Institucioneve të tjera që të ndërmerret diçka në këtë drejtim, gjegjësisht të vendosen mburoja të reja. Këto kërkesa nuk janë përfillur aspak dhe për pasojë e kemi këtë gjendje.
“Kemi bërë kërkesa që tek rrugët e Maqedonisë, që të vendosin sinjalizim, sepse këtu kalojnë këmbësorë dhe fëmijë që shkojnë në shkollë. Fatmirësisht, komuna na ka dhënë një urë në njërën pjesë, por në anën tjetër nuk ka, prandaj edhe kërkojmë që të vendosen mburoja. Në fillim kemi pasur premtime, por nuk është bërë asgjë”, deklaroi kryetari i Bashkësisë Lokale të fshatit Poroj, Sulejman Ramadani. Përveç mburojave mbrojtëse të urës, në këtë pjesë të rrugës mungon edhe sinjalistika rrugore, si shenjat dhe shenjëzimet, edhe pse në afërsi është edhe shkolla fillore dhe nxënësit për çdo ditë kalojnë nëpër këtë rrugë për të shkuar në shkollë.
“Këtu, përveçse kalojnë automjete, po ashtu kemi edhe fëmijë që qarkullojnë për të shkuar në shkollën e fshatit. Ata nuk kanë asnjë siguri elementare dhe shpesh herë i dërgojnë dhe i marrim ne nga shkolla,sepse kemi frikë për sigurinë e tyre, pikërisht kur e kalojnë urën e pambrojtur”, thotë Imeri, një banorë i kësaj lagje.
Përndryshe, në këtë gjendje siç është ura në këtë fshat, sipas banorëve rreziqet janë të mëdha që të ketë edhe aksidente dhe të rrezikohet seriozisht siguria e drejtuesve të automjeteve të shumta që qarkullojnë në këtë rrugë. (koha.mk)