Ministria e Shëndetësisë këshillon të kufizohet lëvizja dhe aktivitetet në hapësirë të hapur, sidomos për kategorinë më të rrezikuar si fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët kronik, dhe për njerëzit që punojnë në ambient jashtë
Delvina KËRLUKU
Shkup, 11 dhjetor – Qytetarët e Maqedonisë vazhdojnë të jetojnë akoma në zona ku ndotja e ajrit është një kërcënim për shëndetin. Ndotja e ajrit jo vetëm që mund të shkaktojë sëmundjen kronike pulmonare e të përkeqësojë astmën, por edhe të vrasë njerëz, thonë mjekët, shkruan gazeta KOHA.
Organizatat që luftojnë ndotjen e ajrit thonë se duhet të bëhet ndryshim duke mbështetur ligjet për ajrin e pastër dhe duke kundërshtuar përpjekjet që dëmtojnë këto rregullore. Në aspektin individual, rekomandohet që të shmanget ngrohja me dru apo të plehrave, dhe në ambiente të hapura dhe të mbyllura. Njerëzit, veçmas ata me sëmundje kronike dhe astmë, duhet të mbrohen e të marrin masa për mos keqësimin të gjendjes shëndetësore.
Nga institucionet përgjegjëse thonë se të gjitha organet e shtetit kanë për qëllim zbatimin e masave që do të kontribuojnë në reduktimin e ndotjes së ajrit. Ministria e Shëndetësisë këshillon të kufizohet lëvizja dhe aktivitetet në hapësirë të hapur, sidomos për kategorinë më të rrezikuar si fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët kronik, dhe për njerëzit që punojnë në ambient jashtë.
“Ushqimi duhet të jetë i pasur me vitamina dhe antioksidantë, ndërsa pacientët kronikë rregullisht të marrin terapinë e përshkruar nga mjeku i tyre”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë. Dragan Gjorgjev nga Instituti i Shëndetit Publik thotë se rekomandimet dhe këshillat e autoriteteve shëndetësore duhet të respektohen. Ai ndër të tjera shton se është shumë e rëndësishme për të gjithë qytetarët që të përmirësojnë imunitetin e tyre.
“Efektet në shëndetësi do të thotë para së gjithash mbrojtjen e sistemit respirator, pra mbrojtje të mushkërive, astmës në cilën do moshë, ata duhet të jenë vazhdimisht nën vëzhgim për keqësimet e shpeshta në këto kushte pa ajër të pastër. Dhe sigurisht, ata duhen të shmangen nga tubimet masive, ku në kushte të ndotjes së ajrit, koncentracionet e helmeve janë të larta. Kjo është edhe një nga rekomandimet në këtë periudhë”, tha Gjorgjev. Doktor Sedat Limani thotë se duhet të gjithë të marrin masa, prej Qeverisë e deri tek qytetarët.
“Duhet të mbjellim pemë në mënyrë që t’i ndihmohet gjelbëremit të ambientit, kujdes në përdorimin e qymyrit dhe drurit në amvisëri. Të gjithë ndotësit e ajrit ndikojnë në shëndetin e njeriut. Përpos masave mbrojtëse, që duhet ti ndërmerr pacienti, siç janë qëndrimi në ambient të pastër, si dhe shmangia e ambientit të jashtëm, përdorimi i higjienës, duhet edhe ushqim cilësor, me vitamina. Vitaminat A, C dhe E janë antioksidantë të fuqishëm dhe për fat të mirë, gjenden me shumicë në fruta të ndryshme. Një ushqim cilësor e bën më të përballueshëm shëndetin e pacientit ndaj viruseve dhe ndikimit të ajrit të ndotur. Nuk duhet përjashtuar që në raste konkrete, pacienti të merr rekomandimin e mjekut për përdorimin e barnave, veçmas antibiotikëve”, tha për KOHA, doktor Limani.
Ndryshe, nëpërmjet sistemit “Termini im”, autoritetet shëndetësore tashmë kanë të dhëna të mjaftueshme për numrin e kategorive të rrezikuara të qytetarëve. Ndërsa nga ministria shtojnë se është në procedurë një plan se si dhe kujt do ti ndahen 50 mijë maska mbrojtëse. (koha.mk)