Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) kanë publikuar këtë të martë të 14 nëntorit një foto duke konfirmuar kapjen e selisë së policisë ushtarake të Hamasit.
Kjo 14 orë pasi ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, pretendoi se, grupi militant kishte humbur kontrollin e Gazës.
Imazhi tregon ushtarë nga Batalioni i 13 Golani duke mbajtur një flamur izraelit brenda ambienteve.
Ushtria nuk ka specifikuar se kur është bërë saktësisht fotografia.
Më herët, e njëjta brigadë kishte publikuar një tjetër foto nga brenda ndërtesës së Parlamentit të Gazës pas kapjes së vendit më 13 nëntor 2023.
Ndërkaq, IDF thotë se pauzat humanitare në Rripin verior të Gazës do të vazhdojnë edhe sot për t’u mundësuar palestinezëve të evakuohen drejt jugut.
Zëdhënësi i IDF-së në gjuhën arabe, nënkoloneli Avichay Adraee, thotë në X se rruga Salah a-Din do të jetë e hapur për lëvizje drejt jugut për gjithsej shtatë orë sot, midis orës 9 të mëngjesit dhe 4 pasdite.
Rruga bregdetare në veri të Gazës do të jetë gjithashtu e hapur për lëvizje midis orës 10:00 dhe 16:00, në mënyrë që civilët të arrijnë në Salah a-Din.
Përveç kësaj, ai thotë se IDF do të bëjë “pauza taktike në aktivitetet ushtarake” në lagjet e qytetit të Gazës Daraj dhe Tuffah midis orës 10:00 dhe 14:00.
Kjo në mënyrë që palestinezët të mund të arrijnë në korridorin humanitar për t’u evakuuar në jug.