Mesazhi është i qartë: Merreni vaksinën ndaj gripit sezonal. Ekspertët shëndetësorë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje që njerëzit të vaksinohen kundër gripit sezonal, në një vit kur kanë marrë vaksinat kundër koronavirusit. “Unë e kam marrë. Jemi të gjithë të lodhur duke folur për vaksinat”, ka thënë drejtoresha e Qendrës së SHBA-së për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve, Rochelle Walensky. “Dua të sigurohem që të gjithë ta marrin vaksinën, sepse të gjithë e dimë sa serioz mund të jetë gripi serioz dhe se sa me rëndësi është të vaksinohemi për t’u mbrojtur”.
Në fjalimin e saj në konferencën e përvitshme të Fondacionit Kombëtar kundër Sëmundjeve Infektive, Walensky ka thënë se “e marr vaksinën çdo vit për të mbrojtur veten, sepse e kam pasur gripin dhe s’e dua prapë”. Maskat dhe masat tjera kundër koronavirusit vitin e shkuar ulën shifrat e gripit sezonal në nivele historike. Por me rihapjen e vendeve për shkak të vaksinimit ndaj COVID-19, ky grip “mund të rikthehet”. Vaksinimi kundër gripit në SHBA është i rekomandueshëm për të gjithë nga mosha 6-muajshe. Edhe të vaksinuarit ndaj COVID-19 mund të vaksinohen kundër gripit sezonal.