Largimi nga Barcelona i mesfushorit turk Arda Turan është i paevitueshëm, pas sezonit të vështirë që po kalon te klubi nga “Camp Nou”. Lojtari nuk pëlqehet nga trajneri i ri, Ernesto Valverde, që vazhdon të mos e ftoi me skuadrën. Ai është lënë jashtë edhe për ndeshjen me Malagan.
Barcelona deri më tani ka zhvilluar 13 ndeshje zyrtare këtë edicion dhe për Turan nuk ka pasur hapësirë të luajë as edhe si zëvendësues. Turku nuk regjistron asnjë minutë këtë edicion, qoftë në La Liga apo Ligë të Kampionëve, pavarësisht se stërvitet normalisht me pjesën tjetër të skuadrës dhe largimi tashmë është i paevitueshëm. Ai u transferua në Barcelonë nga Atletico Madridi në vitin 2015 ku për dy sezone bëri 55 paraqitje dhe shënoi 5 gola për ekipin nga “Camp Nou”.