Tashmë janë bërë pesë javë të sezonit të ri të La Ligës që kur ka filluar të përdoret Video Assistant Referee (VAR) në Spanjë. Shumë vendime të marra nga gjyqtarët janë vënë në dyshim nga kjo teknologji, por më së shumti bujë ka bërë vendimi i Jesus Gil Manzanot për ta ndëshkuar me karton të kuq Clement Lengletin e Barcelonës. Barcelona ka protestuar me zemërim kundër këtij vendimi, deri në atë pikë sa e kanë vënë në dyshim edhe vetë përdorimin e kësaj teknologjie. Megjithatë, Barcelona kishte qenë dyshuese ndaj kësaj teknologjie edhe para ndëshkimit të Lengletit, transmeton Gazeta Express. E vetmja ndeshje e Barcelonës në të cilën nuk ndërhyri VAR-i ishte ndeshja e parë e sezonit kundër Alavesit. Në Superkupën Spanjolle, VAR-i vërejti se goli i shënuar nga Pablo Sarabia kundër Barcelonës nuk kishte qenë jashtë loje, edhe pse ishte konsideruar kështu nga gjyqtari anësor.
Në anën tjetër, Real Madridi ka qenë shumë i kënaqur me përdorimin e VAR-it deri më tani në Spanjë. Ndeshjen kundër Espanyolit, “Los Blancos” kishin përfituar nga kjo teknologji pasi që goli i shënuar nga Marco Asensio ishte konsideruar si i parregullt, por përmes përdorimit të VAR-it, goli kishte rezultuar të jetë i vlefshëm. Ndërsa, Diego Simeone i Atletico Madridi mendon se VAR-i e bën një ndeshje më të drejtë, përkundër faktit që sezonin e kaluar presidenti i klubit, Enrique Cerezo, kishte qenë kundër përdorimit të kësaj teknologjie.